Berisha: A është kërcënuar apo droguar Veliaj për të firmosur në burg?

Sali Berisha ka ngritur sot akuza të rënda mbi mënyrën sesi po menaxhohet Bashkia e Tiranës në mungesë të kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili ndodhet në arrest shtëpie me vendim gjykate.
Sipas Berishës, një nga skenat më të errëta të kësaj “puntate të re të serialit Narcos” është pikërisht firmosja nga Veliaj e një deklarate në burg, me të cilën ai mohon se i ka deleguar kompetencat zyrtares Sara Goxhaj.
“Zotimi i fundit i Veliajt është marrë pa praninë e avokatit. Kjo është shkelje flagrante e çdo procedure ligjore. Avokati nuk është thirrur në takim – nëse ka pasur takim fare. Kjo ngre pikëpyetje të rënda,” tha Berisha, duke aluduar se Veliaj mund të jetë vënë përballë presioneve të paligjshme.
“Nuk di të them nëse i kanë çuar një plumb në zarf, apo e kanë droguar. Por është e qartë që një firmë në këto kushte është e dyshimtë dhe duhet hetuar. Këto pikëpyetje po shtrohen kudo,” theksoi Berisha, duke kërkuar një hetim urgjent nga Avokati i Popullit dhe vëzhgim të rreptë nga OSBE.
Ai shtoi se Edi Rama, në vend që të ruajë distancën institucionale nga Bashkia, po ushtron presion të paligjshëm mbi punonjës të bashkisë: “Thërret në zyrë zyrtarë të bashkisë, i kërcënon, ua mbyll derën dhe i nxjerr jashtë. Kjo është mafie me zyrë qeveritare. Skenarin e drejton Don Edvini, padrinoja i këtij seriali politik.”
Berisha paralajmëroi se këto zhvillime jo vetëm shkelin kushtetutën, por hedhin dyshime serioze mbi sigurinë dhe integritetin e procesit administrativ në Bashkinë e Tiranës.