Policia ka shoqëruar në komisariat për të marrë dëshminë e personave të cilët kanë qenë dëshmitarë në skenën e krimit dhe familjarë të viktimës lidhur me ekzektimin me 9 plumba të Edmond Papës, por ende nuk ka një të dyshuar apo shpallur në kërkim. Dy janë pistat e hetimit ku është përqëndruar policia për hetimin e ngjarjes. Prishja e pazareve të drogës pasi 49-vjeçari ka kryer disa vite burg në Greqi për trafikim droge dhe ka qenë i skeduar në Angli për të njëjtën akuzë. Pista e dytë është ajo e konflikteve për pronën, pasi Papa kishte disa biznese në jug të vendit.
Biznesmeni Edmond Papa me origjinë nga Roskoveci dhe banes në Sarandë, i cili mbeti viktimë një ditë ma parë pasi u qëllua me 9 plumba në një lokal në kryeqytet, sapo kishte ardhur nga Britania në vendin tonë. Syri Tv ka mësuar detaje të reja në lidhje me atentatin ndaj tij.
49-vjeçari kishte vetëm pak orë që kishte mbërritur në Tiranë me automjetin e tij tip Mercedes Benz G Class. Pasi la nënën në banesën e vëllait, shkoi në lokalin përballë në rrugën ‘Fadil Bodinaku’ në Selitë. Pak çaste më vonë atentatori i cili dyshohet se e kishte survejuar prej disa ditësh, afrohet për të qëlluar drejt objektivit.
Në momentin që ka parë atentatorin të afrohet drejt tij, Papa ka reaguar duke e qëlluar me tavllën e duhanit në tavolinë. Por kjo nuk e parandaloi dot atentatorin, i cili me një pistoletë tip Glok derdhi 9 plumba drejt objektivit.
Siç mund ta shohim kjo është fotoja, e cila është shkrepur vetëm pak minuta pasi ekzekutori qëlloi mbi 49-vjeçarin. Papa u transportua në spitalin e Traumës, por nuk arriti t’i mbijetojë plagëve që mori dhe ndërroi jetë pak minuta pas ngjarjes.
Në ambinetet e lokalit ku ndodhi dhe ngjarja ka pasur edhe disa persona të cilët menjëherë pas ngjarjes policia i ka marrë në pyetje.
Ndërkohë janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë në lokal, por edhe ne zonën për’rreth. Pas verifikimeve ka rezultuar se autori ka pasur një kapuç të zi, gjë e cila vështirëson edhe identifikimin e tij. Pasi ka kryer ekzekutimin ai është larguar nga vendi i ngjarjes përmes një rrugice. Dyshohet se autori është ndihmuar nga një person tjetër i cili e ka pritur në rrugën kryesore me një automjet.
49-vjeçari rezulton pronari i hotelit ‘Blue Sky’ në Sarandë, por ka pasur në pronësi edhe disa biznese të tjera në jug të vendit.
Edmond Papa në të shkuarën e tij ka qenë i skenduar për trafikim të lëndëve narkotike në Angli, dhe ka kryer disa vite burg në shtetin fqinj Greqi për të njëjtën akuzë, ndërkohë së fundmi ai mbant edhe mbiemrin Hoxha.