Çështja Buka/ Ahmetaj nxjerr dokumente: Ja provat pse jam target politik

Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, i cili ndodhet në Zvicër dhe kërkohet nga SPAK për t’u arrestuar, i ka shpërndarë mediave dy dokumente gjyqësore dhe një shpjegim të gjatë me email, ku e paraqet çështjen “Buka Sh.a” si një proces të motivuar politikisht.
Në letrën e tij, Ahmetaj thotë se prej korrikut 2022, kur dosja kaloi nën hetimin e SPAK, ndaj tij është ushtruar “presion politik, persekutim personal e familjar”, ndërsa akuzat janë ngritur dhe ndryshuar për ta mbajtur nën goditje.
Sipas ish-ministrit, prokuroria e ka nisur hetimin me akuzën se ai kishte dëmtuar interesat e shtetit, por gjatë seancës paraprake, sipas Ahmetajt, e tërhoqi këtë akuzë duke e quajtur “lapsus”. (dallohet në nënvizimin poshtë)
Për Ahmetajn, ky është provë se procedura ka qenë e motivuar dhe jo e bazuar në ligj.

Ai pretendon gjithashtu se SPAK ka fshehur prova thelbësore: komunikime telefonike, dëshmi të dëshmitarëve dhe elementë të tjerë që, sipas tij, do t’i nxirrnin përgjegjës edhe persona të tjerë. Një tjetër pikë e mbrojtjes së tij është vendimi për të ndarë dosjen në dy pjesë, megjithëse, siç shprehet ai, ekziston një vendim gjykate që e ndalon këtë, duke u bërë kështu një mënyrë për të “devijuar të vërtetën”.
E dyta po ta shikoni ne dokumentin e atashuar, ka nje moment ku debati Prokuror-Avokat ka te beje mes ndarjes se kesaj ceshje ne dy pjese, stil tashme i konsoliduar ne shume here i organit te akuzes per te devijuar te verteten. Megjithse ka vendim gjykate qe te mos ndahet kjo ceshtje, prokurori e ka ndare ceshtjen se ashtu i konvenion. Por cila eshte arsyeja? te mos dali panorama e te vertetes e plote duke fshehur faktet, duke mos ngarkuar me pergjegjesi ata qe jane pjese?
Në shpjegimin e dërguar mediave, Ahmetaj kundërshton edhe akuzën e moszbatimit të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese lidhur me rivlerësimin e aksioneve të kompanisë “Buka Sh.a”.
Ai argumenton se rivlerësimi i pavarur ka trefishuar vlerën e aseteve si për shtetin, ashtu edhe për privatët, çka sipas tij përmbys pretendimin se ka favorizuar njërën palë. “Në bazë të cilit ligj duhej të vlerësoja vetëm privatët?”, shkruan ai, duke shtuar se prokuroria nuk citon asnjë nen ligjor që ai e ka shkelur.
Ish-zv.kryeministri kritikon edhe “gjuhën paragjykuese” të prokurorit, i cili sipas tij ka komentuar publikisht mbi mungesën e tij në sallën e gjyqit, dhe e sheh këtë si shkelje të paanshmërisë. “Po të ishte i pavarur, s’do të bridhte rrugëve të Europës”, citon Ahmetaj, duke nënvizuar se zgjedhja për të mos u paraqitur është e drejta e tij.

Nga ana tjetër, SPAK e akuzon Arben Ahmetajn për shpërdorim detyre në procesin e privatizimit të ish-fabrikës së bukës, duke pretenduar se ka shkaktuar një dëm ekonomik prej disa milionë eurosh. Çështja ka kaluar për gjykim në Gjykatën e Posaçme, e cila pritet të shqyrtojë edhe provat e reja të paraqitura nga prokuroria.
Me këtë letër dhe dokumentet shoqëruese, Ahmetaj synon të tregojë se ndaj tij po zhvillohet një proces i padrejtë, ku drejtësia po përdoret si armë politike. Ai kërkon që opinioni publik të shohë dokumentet dhe të gjykojë vetë mbi akuzat që, sipas tij, janë sajuar për ta bërë “target politik” dhe për ta mbajtur nën presion.











