Detajet/ Kush është “Pole Qorri”, i arrestuar sot për vrasjen e Gentian Bejtes

U arrestua këtë të këtë të diel teksa shijonte diellin dhe ujin e plazhit të Orikumit, Flodian Plaku (majtas në foton lart). I njohur edhe me mbiemrat Mamo dhe Serjani apo edhe me nofkën “Pole Qorri”, ai është i dyshuar për ekzekutimin e Gentjan Bejtjas (djathtas në foto) më 15 mars të vitit të kaluar në Fushë Krujë.
41-vjeçari nga Vlora, u kap në një hotel në Orikum nga Forcat Operacionale, në një operacion ku morën pjesë efektivë të shumtë të drejtuar nga Drejtoria Vendore e Policisë së Vlorës.
Mediat raportojnë se në momentin e ndalimit atij i janë gjetur me vete 2 armë zjarri, të cilat janë sekuestruar. Po ashtu, sipas të njëjtave burime gjatë operacionit mësohet se janë ndaluar 7 persona të tjerë.
Si u vra Gentian Bejtja
Flodian Plaku jetonte kryesisht në Greqi dhe Itali, por kohët e fundit dyshohej se fshihej në Dubai. Ai akuzohet si një nga tre personat që hapën zjarr ndaj ish-policit Gentjan Bejtja, në Larushk të Fushë-Krujës, brenda rrethimit të banesës së tij, teksa ujiste perimet në kopsht dhe në prani të familjarëve.
Krimi dyshohet se ndodhi me motive hakmarrjeje, si pasojë e rivalitetit dhe përplasjeve mes grupeve kriminale të Fushë-Krujës të drejtuara nga Ervis Martinaj, Indrit Dokle dhe Durim Bami. 4 ditë pasi u vra Gentjan Bejtja, policia arrestoi në flagrancë Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi, alias Ilir Mançellari, 41 vjeç dhe Edison Haxhiun, 30 vjeç.
Për ta u tha se dyshoheshin se kishin marrë pjesë në krim si bashkëpunëtorë. Pas ngjarjes autorët dogjën makinën e krimit së bashku me armët dhe u larguan me një tjetër automjet. Më 9 maj të këtij viti, Gjykata e Tiranës kaloi për gjykim dosjen ndaj tyre.
Kush është Flodian Plaku
Flodian Plaku është një emër i njohur për drejtësinë. Ai rezulton si i përfshirë në trafikun e drogës, nga Vlora drejt Italisë. Ai u arrestua në vitin 2019 në Vlorë bashkë me disa persona të tjerë. Ai akuzohej se dërgonte drejt Italisë gomone të mbushura me kanabis.
Sipas hetimeve ato ngarkoheshin në Shqipëri dhe dërgoheshin Brindizi. Më pas droga shpërndahej nëpërmjet korrierëve nga Puglia drejt Romës, Napolit, Milanos dhe Firenzes. OFL e procedoi gjithashtu për pasuritë e paligjshme 4 vite më parë në kuadër të Ligjit Antimafia.









