Deti Mesdhe po zien: Qershori regjistron temperaturat më të larta në dekadë

Temperatura mesatare sipërfaqësore e Detit Mesdhe ka arritur nivele alarmante në muajin qershor 2025, duke kapur vlerën 24.3°C — niveli më i lartë i regjistruar në 10 vitet e fundit për këtë muaj dhe rreth 1 gradë mbi mesataren shumëvjeçare (2015–2024). Ky është një sinjal i qartë për përkeqësimin e krizës klimatike që po prek rajonin me pasoja serioze për ekosistemet detare, turizmin dhe sigurinë bregdetare.
Situata është edhe më e rëndë në Detin Tirren, ku temperaturat kanë arritur mesatarisht 25.1°C, ndërsa në Detin Adriatik janë regjistruar rreth 24.1°C, me përjashtim të zonës nga Mali i Zi në Shqipëri, ku uji ka qenë disi më i freskët. Alarmit iu bashkuan këtë mëngjes organizatat mjedisore Goletta Verde dhe Legambiente, të cilat organizuan një protestë simbolike në brigjet e Adriatikut, duke shpalosur mesazhin: “Nuk është vapë. Është krizë klimatike.”
Aktivistët kërkojnë ndërhyrje urgjente për të frenuar ndikimin e ngrohjes globale, teksa valët e të nxehtit po rrezikojnë jo vetëm biodiversitetin detar, por edhe po shtojnë rrezikun e zjarreve dhe fenomeneve ekstreme në të gjithë Mesdheun, përfshirë Shqipërinë








