Dokumentat/ Spastrimet e besnikëve të Veliajt në bashki me firmën e Anuela Ristanit

Më poshtë janë dy dokumentat me firmë të nënkryetares së Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani që tashmë ka marrë në duar frerët e institucionit dhe ka bërë një spastrim të shpejtë të njerezve të Erjon Veliajt.
Duke pasur mbështetjen e Edi Ramës, ajo që deri dje ndiqte nga pas Erjon Veliajn nëpër aktivitetet e bashkisë, tashmë sapo ka flakur jashtë njerëzit e fundit që Erjon Veliaj mund të komandonte nga qelia e burgut në Durrës, si gjurma e tij e fundit në bashkinë e Tiranës.

Alban Dokushi është personi që ka shoqëruar Erjon Veliajn në vizitat e tij të fundit në SPAK para arrestimit. Ai ka mbajtur postin e Drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme Juridike të Aseteve dhe Licencimit.

Shkarkimi i dytë i firmosur nga Anuela Ristani është ai i Sara Goxhajt, që për 24 orë mbajti postin e nënkryetares, me firmën e Erjon Veliajt. Ka mjaftuar një vizitë e Edi Ramës në Bashki mbrëmjen e 18 marsit dhe gjithcka është kthyer përmbys.
Mund të thuhet tashmë se Bashkia e Tiranës, baza financiare dhe politike e Erjon Veliajt ka kaluar e gjitha në duart e Edi Ramës, që para zgjedhjeve të 11 Majit nuk pret më asnjë surprizë nga njerëzit që e rrethojnë. Erjon Veliaj u arrestua në datën 10 shkurt pas një letre anonime që u dërgua në SPAK dhe që u pasua me hetimin pasuror ndaj tij dhe familjes së tij.