“Albpetrol” SHA, shoqëria publike që administron vendburimet e naftës dhe të gazit, është degraduar dhe çuar drejt falimentit nga administratorët partiakë. Drejtuesi i radhës është Eltar Deda, i cili e menaxhon buxhetin e kompanisë shtetërore në favor të biznesmenëve që bashkëpunojnë në abuzimet gjatë prokurimit.
Këtë herë shefi i Albpetrol, Eltar Deda, ka xhiruar paratë e shtetit përmes një prokurimi të dyshimtë. Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Blerje ekskavatorë, jo më të vegjël se 9 ton, 2 (dy) copë”, me afat 2 muaj që nga nënshkrimi i kontratës, me fond limit 370 milionë lekë.
Por, nëse do të shohim në pika shitjesh jashtë dhe brenda vendit, ekskavatorë me këto përmasa mund të kushtojnë nga 30 milionë deri 45 milionë lekë, ndërsa bashkë me transportin mund të marrim përafërsisht 50 milionë lekë. Ndërsa 370 milionë është një vlerë e zmadhuar.
Gjithsesi, Eltar Deda nuk ka marrë mundimin të argumentojë në dokumentet e tenderit si e ka llogaritur fondin limit që për këtë prokurim.
Dyshimi se fondi po përvetësohet, vërtetohet edhe nga shkeljet që janë bërë në procesin e tenderimit. Shohim se kanë paraqitur ofertat e tyre 3 kompani, ku “ELI” shpk kishte propozimin me çmim më të lirë, por kjo nuk është marrë parasysh. Kështu, në kundërshtim me ligjin e prokurimeve, Deda e përjashtoi nga gara kompaninë në fjalë, bashkë me një tjetër firmë dhe la për në fazën finale vetëm zarfin e firmës “AZ Trading” shpk, me pronar Eno Veshin. Propozimi i tij kap vlerën rreth 350 milionë lekë, pra sa 88% e fondit limit.
q, me ofertën më të shtrenjtë dhe pa konkurrencë, “AZ Trading” shpk u shpall fituese e këtij tenderi. Këto shkelje të shumta kanë bënë prokurimi të futet në listën e tenderave me ‘Red Flag’, sipas vlerësimit të Open Data Albania. Kjo është shenjë alarmi për riskun e korrupsionit. Por mund të jetë edhe sinjal për SPAK dhe institucionet e tjera përgjegjëse, që duhet të hapin sytë për të verifikuar se ç’po ndodh me paratë e kësaj shoqërie shtetërore.
Më 10 shtator 2023, Kontrolli i Lartë i Shtetit i rekomandoi ministres Belinda Balluku shkarkimin nga detyra të Administratorit të kompanisë shtetërore të naftës, Albpetrol sha., Eltar Deda.
Ish-deputeti socialist, i cili mori drejtimin e Albpetrol në Tetor të vitit 2022.
Ai konsiderohet përgjegjës pasi, me veprimet dhe mosveprimet e tij, ka lejuar shkaktimin e dëmit ekonomik në vlerë miliona dollarë, si edhe ka vendosur kompaninë përballë rriskut që të humbasë edhe dhjetra milionë dollarë të tjerë.
Dëmi më i madh është konstatuar në shitjen e naftës bruto, të nxjerrë nga degët e Albpetrolit. Sipas KLSH-së, u konstatua se kompania publike ka shitur në ankande produktin naftë jashtë standartit teknologjik. Në këtë mënyrë, është ulur çmimi i naftës së shitur dhe rrjedhimisht, edhe fitimi real i shoqërisë publike.
Audituesit shtetërorë kanë përllogaritur se, vetëm për shkak të kësaj situate, kompanisë Albpetrol i mungojnë rreth 5.8 milionë dollarë të ardhura.
Largimi i drejtuesve të korruptuar nuk është një standard i qeverisë, kështu që administratori Deda ka zgjedhur rrugën e paraardhësit, Florian Muçaj që përfundoi në prangat e SPAK-ut në vitin 2022.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016./gijotina