AKTUALITETTOP-NEWS

Fshati Selitë i lënë në harresë, banorët: Askush nuk kujtohet për ne

Mallakastër – Prej afro gjysëm shekulli, rruga kryesore që lidh qendrën e Fratarit me fshatin Selit mbetet në gjendje të mjerueshme, pa parë asnjë investim – as çakull, as asfalt, as shtresë bituminoze. Kjo situatë e rëndë është denoncuar nga vetë banorët e mbetur në fshat, kryesisht pensionistë, të cilët përballen çdo ditë me izolim dhe mungesë totale shërbimesh.

Sipas tyre, dikur Selita ka qenë një fshat i gjallë me rreth 300 banorë dhe disa familje të shumta, ndërsa sot kanë mbetur më pak se 50 persona. Emigracioni dhe shpërngulja drejt qyteteve si Fier, Vlorë, Durrës dhe Tiranë kanë zbrazur fshatin pothuajse plotësisht.

Banorët tregojnë se ndërhyrja e fundit në rrugë daton që në kohën kur u ndërtuan rezervuarët për mbledhjen e ujit, të njohur si “Lumara 1 dhe 2” në vitet ’70. Që nga ajo kohë, askush nuk ka vënë dorë në këtë aks jetik. Për të dalë deri në kthesën më të afërt, ata detyrohen të ecin në këmbë, duke transportuar mbi supe ushqime, ilaçe dhe çdo material të nevojshëm për jetesë.

Problematikat nuk ndalen vetëm te infrastruktura. Shërbimi shëndetësor mungon pothuajse tërësisht. Një udhëtim me taksi nga Fratari në Selit kushton rreth 25 mijë lekë vajtje-ardhje, një shumë e papërballueshme për pensionistët. Për këtë arsye, ata detyrohen të marrin vetëm ilaçe orale, duke shmangur trajtimet me injeksione për shkak të kostove të larta për transportin e mjekut apo infermierit.

Edhe furnizimi me ujë mbetet një tjetër plagë e hapur. Banorët shprehen se kanë ujë vetëm për rreth 9 muaj të vitit, ndërsa gjatë verës mbeten pa asnjë pikë. Tubacionet janë të amortizuara dhe të ekspozuara, duke ngrirë në dimër dhe duke u dëmtuar gjatë temperaturave të larta në verë.

Të ndodhur në kushte të tilla, banorët e Selitit lëshojnë një apel të fortë ndaj institucioneve:
“Duam rrugë patjetër! Nëse nuk shtrohet rruga, të mos vijnë më për vota, as për deputetë, as për pushtetin vendor.”

Burime nga bashkia Mallakastër pohojnë se kjo rrugë është futur në buxhetin e bashkisë për vitin 2026 dhe do të nis nga vjeshta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button