“Fshesa e Ramës kundër nepotizmit: Luftë reale apo retorikë politike?”

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar nisjen e asaj që e quan një “fshesë” me “dorë të hekurt” kundër nepotizmit në administratë. Sipas tij, lufta ndaj këtij fenomeni kërkon një analizë komplekse dhe sakrifica reale. “Komisioni i etikës do të caktojë kornizën dhe kufijtë. Kjo punë është sakrificë, nuk është privilegj”, deklaroi Rama.
Por çfarë është realisht nepotizmi dhe si shfaqet ai në praktikë?
Në fjalor, nepotizmi përkufizohet si përkrahje apo favorizim i farefisit dhe miqve, duke shpërdoruar pushtetin. Termi “nepotik” i referohet atij që përdor autoritetin për të favorizuar rrethin familjar apo shoqëror. Ky përkufizim, ndonëse duket i thjeshtë, fsheh një dimension shumë më të gjerë dhe më kompleks në realitetin shqiptar.
Në thelb, nepotizmi është shpërdorim i pushtetit të fituar për të favorizuar familjarë, krushqi, miqësi dhe rreth shoqëror: nipër e mbesa, vëllezër e motra, kunetër, baxhanakë, shokë fëmijërie, miq shkolle, lagjeje apo besnikë politikë. Ky favorizim shfaqet në punësime, ngritje në detyrë, emërime në poste kyçe drejtuese, dhënie tenderash dhe përfitime të tjera materiale që vijnë nga pushteti i postit.
Në deklaratat e fundit të Ramës, nepotizmi përmendet kryesisht në lidhje me deputetët, duke u shprehur se kush ka futur familjarë në punë duhet të lërë mandatin. Por kjo tezë shihet nga shumëkush si një frazë shabllone, pasi nepotizmi është i përhapur në çdo hallkë të pushtetit: në ministri, drejtori, sektorë, bashki, madje edhe në strukturat drejtuese të partive politike.
Nepotizmi nuk është fenomen i sotëm. Ai është aplikuar edhe në të shkuarën, ku deputetë, ministra, drejtorë dhe kryetarë bashkish kanë uzurpuar poste kyçe me paga dhe privilegje të majme. Edhe pse disa prej tyre nuk janë më në poste influente, punësimet nepotike të kryera prej tyre vazhdojnë të mbeten aktive, duke e bërë çrrënjosjen e fenomenit tepër të vështirë.
Për këtë arsye, një analizë reale e nepotizmit kërkon një shtrirje më të gjerë logjike dhe kohore.
Nepotizmi shfaqet kryesisht në dy forma: relativ dhe absolut.
Nepotizmi relativ është një formë më e butë, ku personat e punësuar mund të kenë kualifikim apo aftësi profesionale, por gjithsesi janë futur në punë përmes rekomandimit nepotik, duke i mohuar vendin e punës një qytetari tjetër.
Nepotizmi absolut është forma më e rëndë: individë pa asnjë aftësi, arsim apo përgatitje minimale vendosen në poste të rëndësishme vetëm sepse mbështeten nga një figurë e pushtetshme, me objektiva të qarta përfitimi personal.
Në praktikë, nepotizmi dhe klanizmi ecin paralelisht. Funksionarë të caktuar i përdorin këto mekanizma për të forcuar pushtetin e tyre dhe të rrethit besnik. Kush është pjesë e klanit mbahet afër; kush kundërshton, përjashtohet dhe sulmohet nga i gjithë sistemi i ngritur mbi punësime nepotike dhe klanore. Këto emërime nuk kufizohen vetëm në administratë, por shtrihen edhe në strukturat drejtuese partiake.
Mbetet për t’u parë nëse nisma e kryeministrit Edi Rama do të jetë reale, koherente dhe me rezultate konkrete, apo nëse do të zbehet shpejt si shumë premtime të mëparshme.
Si media, ne do të vijojmë të publikojmë raste konkrete të lidhjeve nepotike në drejtori dhe bashki të ndryshme në qarkun e Fierit, me emra dhe lidhje familjare apo shoqërore, që përfshijnë jo vetëm deputetë, por edhe funksionarë të tjerë të pushtetit.











