Wednesday, June 26, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeKRYESOREFtesa/ Berisha deputetëve të Bashës: Të lëmë mëritë, ejani në grupin tonë

Ftesa/ Berisha deputetëve të Bashës: Të lëmë mëritë, ejani në grupin tonë

Dje triumfoi e drejta mbi padrejtësinë. Triumfoi pluralizmi politik mbi pluralizmin fals dhe fasadë”. Kështu e komentoi ish-kryeministri Sali Berisha vendimin e Gjykatë së Apelit të dhënë të martën.

“Dje një vendim i gjykatës nxori në pah para shqiptarëve dhe botës se si Edi Rama kishte keqpërdorur në shkallë ekstreme drejtësi e politikë për të marrë peng flamurin e PD, flamurin e pluralizmit politik të Shqipërisë, të arritjeve të saj epokale në rrugën e demokracisë. Por dje theksova dhe sot në emër tuaj dua të ritheksoj edhe njëherë se mesazhi i kësaj arritje është një dhe vetëm një. Është bashkimi, bashkimi dhe vetëm bashkimi” – tha Berisha që pati një thirrje për të gjithë deputetët demokratë që t’i bashkohen grupit të tij parlamentar.

“Është bashkimi dhe vetëm bashkimi sepse betejën vendimtare, fitoren vendimtare e kemi përpara për ta arritur. Dhe kjo kërkon kontributin e çdo demokrati dhe demokrateje. Ndaj dhe edhe njëherë u bëj thirrje të gjithë demokrateve dhe demokratëve që ndjejnë shpirtin e tyre të pastër, të cilët për një arsye apo për një tjetër, kanë mbajtur qëndrime të tjera, të bashkohen.

Të bashkohen me ne! Të kthehen në shtëpinë e tyre. Bashkimi në diversitet është tipari që fitoi Partia Demokratike pas rithemelimit. Bashkimi në diversitet është shpirti demokratik i kësaj partie dhe anëtarëve dhe simpatizantëve të saj. Bashkimi në diversitet është dimensioni i ri më i fuqishëm i PD-së, i partisë së pluralitetit të mendimit, i partisë së pluralizmit politik në Shqipëri. Ndaj dhe bashkohuni, jeni të mirëpritur me dinjitet të plotë, me vendimet tuaja. Asgjë nuk mund të ndajë demokratë e betuar për të qenë opozitë e vërtetë.

Deputetëve të PD që akoma nuk janë në grupin tonë, thirrja më miqësore, vendi juaj është tek elektorati i PD. Mos harroni kurrë se me këtë logo, me këtë flamur keni bërë të gjithë fushatën. Se dhjetëra mijëra zgjedhës u votuan ju me këtë flamur, ndaj dhe jeni të mirëpritur. Jeni të mirëpritur në gjirin e grupit parlamentar të PD. Beteja e madhe është përpara.

Të harrojmë dhe arkivojmë njëherë e mirë betejën njëri me tjetrin. T’i përvishemi Edi Ramës në emër të atyre qindra e mijëra shqiptarëve që vuajnë nën regjimin e tij. Përgëzoj të gjithë ata demokrate e demokratë, të cilët që sot kanë marrë dhe po marrin vendimet e duhura. I garantoj se beteja dhe fitorja do të jetë fati ynë!” – tha Berisha që ftoi të gjitha partitë e opozitës të bëhen pjesë e vetëm një fronti.

“Në emër tuaj u bëj thirrje të gjitha partive politike opozitare, parlamentare, joparlamentare, tradicionale apo të sapokrijuara, të bashkohemi se Shqipëria po tretet. Se duhet të na bashkojë dashuria për Shqipërinë. Unë e kuptoj se shumë nga ju kanë idera dhe mendime të tjera nga PD, pro asnjëra prej jush nuk mund të pajtohet kurrë me këtë shpopullim barbar. Me këtë zhbirje që po u bën Edi Rama me regjimin e tij shqiptarëve.

Unë e kuptoj se ne kemi platforma të ndryshme, por asnjëri prej jush nuk mund të pajtohet me këtë vjedhje të tmerrshme që po u bën Edi Rama shqiptarëve me regjimin e tij. Unë kam respekt për ju, kam respekt të madh për pluralizmin. Koalicionet e gjera kanë qenë pasioni im. Por nga ana tjetër duhet t’u ftoj ju, politikanë me eksperiencë apo politikanë që keni nisur karrierën vitet e fundit, në çdo lloj analize, një gjë është e qartë, se roli i PD për fitoren është vendimtar.

Dhe nuk e them këtë për presion, jo. E them këtë që të bëjmë analizën realiste. Kurse për ndonjërin që arrin si automat të përsërisë se këta janë njëlloj, e madje demokratët edhe më keq, i them se e lexon historinë kokëposhtë. E vërteta është se ne nuk jemi kurrë njëlloj. Kurrë nuk jemi njëlloj. Dhe cilido që krahason PD-në me PS-në, krahason të pakrahasueshmen.

Cilido që krahason Sali Berishën me Edi Ramën, krahason të pakrahasueshmit. Cilido që krahason qeverisjen e PD me qeverisjen më hajdute në historinë e kombit, ndihmon Edi Ramën. Ndihmon Edi Ramën, mbron Edi Ramën” – tha Berisha.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME