Gjeli i Mallakastrës “mbyt” gjelin e importit grek. Tradita dhe shija bio fitojnë mbi çmimin.

Cakran – Edhe pse në ditët e fundit të fundvitit tregu është furnizuar masivisht me gjel deti të importuar nga Greqia, ky i fundit nuk po arrin të konkurrojë gjelin e detit të zonës së Mallakastrës. Pavarësisht se gjeli grek shitet me çmim më të ulët, konsumatorët vijojnë të preferojnë prodhimin vendas, të rritur në kushte natyrale dhe bio.
Vetë fermerët e Mallakastrës e pohojnë se importet u kanë “prishur punë”, por theksojnë se shitjet nuk kanë munguar.
Sipas tyre, gjeli dhe pula e detit e rritur në këtë zonë shitet me çmim që varion nga 7 deri në 9 mijë lekë për kilogram, ndërsa gjeli i importuar nga Greqia tregtohet me rreth 5 mijë lekë për kilogram. Diferenca e çmimit, thonë fermerët, justifikohet plotësisht nga cilësia dhe shija.







Fermerët shpjegojnë se gjeli i Mallakastrës ka një shije të veçantë për shkak të mënyrës së rritjes. Ai ushqehet në fusha me jonxhë, bar natyral dhe nën ullishte, çka ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e mishit dhe aromën karakteristike që e dallon nga gjeli i importuar.
Përveç tregut vendas, gjeli i Mallakastrës ka gjetur rrugë edhe jashtë kufijve të vendit. Sipas fermerëve, prodhimi i tyre është shitur jo vetëm në Fier, Vlorë, Tiranë dhe Berat, por edhe është eksportuar drejt Italisë, Greqisë, Gjermanisë dhe Anglisë, duke u kthyer në një produkt të kërkuar nga emigrantët shqiptarë.






Si çdo vit, edhe këtë ndërrim vitesh, fermerët e fshatrave të Mallakastrës që jetojnë pranë autostradës Levan–Tepelenë janë detyruar të shesin anës rrugës, për shkak të mungesës së një tregu të posaçëm. Kjo situatë jo vetëm që vështirëson punën e tyre, por shpeshherë është kthyer edhe në burim rreziku për aksidente rrugore.ALB365/ Xhemil Beharaj









