Gjykata Kushtetuese cakton më 18 shkurt seancën për Arben Ahmetajn
Gjykata Kushtetuese ka vendosur të shqyrtojë më 18 shkurt ankimin e ish-zv. kryeministrit Arben Ahmetaj kundër sekuestrimit të pronave dhe llogarive bankare të tij. Ish-nurmri dy i qeverisë ka kërkuar rrëzimin e masave të sekuestrimit, duke argumentuar se ato janë vendosur në kundërshtim me të drejtat e tij kushtetuese.
Më parë Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesat e familjarëve të Ahmetajt për kthimin e pronave të sekuestruara, duke argumentuar se sekuestrimi është kryer në përputhje me ligjin dhe nuk ka shkelur të drejtat e tyre kushtetuese.
Ahmetaj ndodhet në arrati që prej muajit korrik të vitit 2023. Ai akuzohet për kryerjen e tre veprave penale: “Pastrim parash”, “fshehje të pasurisë” dhe “korrupsion pasiv”. Ahmetaj dyshohet se gjatë funksionit të tij si ministër, mori disa akte për t’i mundësuar sipërmarrësve lidhjen e kontratave koncesionare.
Ndaj tij, ka edhe hetim pasuror dhe janë vënë në sekuestro dy vila, disa apartamente dhe llogari bankare. Në muajin korrik të vitit 2023, organi i akuzës lëshoi urdhër-arrest ndaj tij dhe e shpalli atë në kërkim ndërkombëtar, ndërsa në mars të 2024-s i komunikoi akuzat përmes avokatit të tij ligjor.