Goditet evazioni fiskal me 3.7 milionë euro në ‘Buzi Sport’, shpallet në kërkim administratori, (fotot)
Prokuroria e Tiranës ka goditur një rast të evazionit fiskal ku është shpallur në kërkim administratori i biznesit “Buzi Sport”, Oltion Buzi. Subjekti dyshohet për mosdeklarimin e të ardhurave me vlerë 3.7 milionë euro.
Pas një hetimi disa mujor, Prokuroria ka zbuluar se “Buzi Sport” përdorte një sistem të paautorizuar për lëshimin e faturave tatimore përmes platformës së palicencuar “store.dyqanimen.com”. Ky sistem mundësonte lëshimin e faturave të falsifikuara, të cilat nuk përmbushnin kërkesat ligjore dhe shmangnin fiskalizimin.
Gjatë kontrolleve në 8 adresa të lidhura me aktivitetin e subjektit, u sekuestruan njësi kompjuterike, telefona, tableta dhe një shumë prej 8 milionë lekësh në valuta të ndryshme, të cilat nuk ishin të justifikuara me dokumentacion.
“Buzi Sport” akuzohet për manipulimin e faturave duke raportuar vlera më të ulëta për qëllime tatimore, duke shmangur kështu detyrimet fiskale. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht këtë veprimtari të paligjshme.