Katër shqiptarë të arrestuar në Greqi, pjesë e skuadrës së ekzekutimit me pagesë

Gjashtë persona të dyshuar si anëtarë të një organizate kriminale që kryente vrasje me porosi u arrestuan të martën, pas një operacioni të policisë në Atikë.
Dyshohet se të arrestuarit qëndrojnë pas atentatit ndaj një figure të botës së krimit, i cili më vonë u vra në qytetin turistik të Arahoves.
Sipas informacioneve nga burime policore, të dyshuarit janë katër shtetas shqiptarë dhe dy grekë që u ndaluan nga Njësia Kundër Shtrëngimit e Drejtorisë së Luftës kundër Krimit të Organizuar. Katër prej tyre dyshohet se janë pjesë e skuadrës së ekzekutimit. Ata janë të njohur për autoritetet për vrasje të mbetura në tentativë dhe vepra të tjera të rënda, ndërsa njëri prej tyre ndodhet tashmë në burg, pasi ishte arrestuar kohët e fundit për akuza të lidhura me drogën.
Në posedim të tyre u gjetën katër pushkë kallashnikov, tre pistoleta dhe një sasi kokaine.
Njëri prej katër shqiptarëve, me emrin “Demos”, mendohet se është drejtuesi i grupit dhe ka qenë pjesë e një bande kriminale të drejtuar nga krimineli i njohur Vasilis Stefanakos, i cili u ekzekutua me armë në vitin 2018.
Katër personat e dyshuar si pjesë e “skuadrës së ekzekutimit” dyshohet se morën pjesë në tentativën për vrasjen e 42 vjeçarit Giannis Lalas, jashtë një pike karburanti në pronësi të tij në Ano Liosia, ku Mercedes-i i tij i blinduar u shoshit nga plumbat e kallashnikovit. Në atë kohë ai i mbijetoi atentatit dhe iu drejtua policisë për mbrojtje.









