Mediat greke dyshojnë se vrasja e Edmond Papës, Kreshnik Çerçizaj dhe Armando Organja, kanë lidhje dhe me një sërë atentatesh dhe vrasjesh të tjera mes Tiranës dhe Athinës.
Sipas tyre, porositësi i këtyre vrasjeve ndodhet brenda burgut. Pak kohë pas bërjes publike të këtij informacioni, policia greke ekzekutoi në orët e para të mëngjesit një operacion sekret në qelitë me shqiptarë në burgun e Chanias në Kretë.
Media greke Protothema.gr, raporton se janë ushtruar kontrolle në 6 qeli me 13 të burgosur shqiptarë, mes tyre dhe në qelinë e kreut të mafias shqiptare në Greqi, Klodian Lekocaj.
Në qelitë e “baronëve” shqiptarë të krimit kanë zbarkuar agjentët e Attica Security (rajoni i Atikës në Athinë) i kryesuar nga oficerët me përvojë të Krimeve në bashkëpunim me Departamentin e Vrasjeve, një ekip nga EKAM dhe një qen nuhatës droge. Operacioni ka qenë aq “top-secret” sa është kryer në fshehtësi ekstreme pa informimin paraprak të autoriteteve të burgut.
“Gjithçka është bërë në shkallë konfidenciale”, ka thënë një oficer i ELAS.