Kosova shkruan historinë, kualifikohet për në Play Off e Botërorit

Kosova e drejtuar nga trajneri Franco Foda ka arritur një fitore të madhe në transfertë, duke mposhtur Slloveninë 0-2 në Ljubljanë, në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Grupit B.
Dardanët e nisën shkëlqyeshëm takimin, duke zhbllokuar rezultatin që në minutën e 6-të me një supergol të Fisnik Asllanit. Sulmuesi kosovar, pas asistit të Mërgim Vojvodës, ekzekutoi në mënyrë perfekte dhe mposhti portierin Jan Oblak.
Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal 0-1 për Kosovën, ndërsa në të dytën vendasit u vunë në vështirësi të mëdha. Vetëm pak minuta pasi hyri në fushë, Petar Stojanoviç u ndëshkua dy herë me të verdhë, duke lënë Slloveninë me dhjetë lojtarë.
Superioriteti i Kosovës u konkretizua në minutën e 64-të, kur një top i gjatë i Florent Muslijës u devijua gabimisht në rrjetë nga Žan Karničnik, duke vulosur shifrat 0-2.
Në takimin tjetër të grupit, Zvicra triumfoi 4-1 ndaj Suedisë në Gjenevë. Embolo shënoi i pari për helvetët në minutën e 12-të, ndërsa suedezët barazuan me Nygren në minutën e 33-të. Pjesa e parë u mbyll 1-1, por në vazhdim Zvicra riktheu epërsinë falë penalltisë së realizuar nga Granit Xhaka në minutën e 59-të. Fitorja u vulos nga Dan Ndoye në minutën e 75-të, pas asistit të Ruben Vargasit dhe Manzabi në minutën e 94-të.









