Përfaqësues të Partisë Demokratike kanë reaguar pas dhënies së vendimit nga GJKKO për vendosjen në arrest shtëpie të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Ish-deputeti Luçiano Boçi deklaroi nga selia e PD-së se masat ndaj ish-kryeministrit u vendosën pa asnjë provë dhe dokument. Boçi tha se Rama urdhëroi mercenarët e tij të caktojnë arrestin, ndërsa e konsideroi masën si tipike për një diktaturë.
Po ashtu, Flamur Noka e quajti vendim politik të Edi Ramës masën e arrestit në shtëpi ndaj ish-kryeministrit. Deputeti Noka në një shkrim në Facebook thotë se përgjigjja do të vijë përmes mosbindjes civile.
“Me vendimin e sotëm të Drejtësisë Politike mund te themi se Edi Rama e ktheu Shqipërinë ne Rusinë e vogël të Europës me liderin e opozitës të arrestuar. Sot lideri i opozitës, Sali Berisha arrestohet e burgoset pa asnjë akuze, pa asnjë fakt e pa asnjë prove …thjesht sepse ne liri dhe ne aktivitet politik i kall datën Edi Rames dhe bandës se pushtetit. Arrestohet sepse po i diskreditonte çdo ditë e më shumë me fakte e prova Drejtësinë e Re Politike e cila fsheh, asgjëson provat për Erion Veliajn, Engjell Agacin dhe kreun e regjimit Edi Rama dhe sajon dosje politike për krerët e opozitës.
SPAK dhe GJKKO pas këtij vendimi rikthyen Sigurimin e Shtetit si organe dhune te diktaturës ndaj kundërshtarëve te Regjimit. Llogaritë i kanë bërë gabim. Mosbindja civile për të gjunjëzuar këtë narkoregjim për opozitën dhe shqiptarët është rruga e vetme .O Sot o Kurrë”, shkruan Noka.