Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka deklaruar mbrëmjen e sotme se kryeministri Edi Rama ka lobuar kundër tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai u shpreh në emisionin “Frontline” se emri i tij ka qenë në çdo diskutim të Ramës me ndërkombëtarëve për ta vendosur atë nën presion.
“Kjo është një histori që është hapur dhe nuk mbyllet dot më. Emri im ka qenë i pari në çdo takim të Edi Ramës me çdo ndërkombëtar. Ai gjithmonë ka pasur një shqetësim si të instrumentalizojë ndërkombëtarët për të më vendosur mua presion sikur ka një problem por jo me mua por me ndërkombëtarët. Ka lobuar për të më shpallur non grata? E padiskutueshme.
Kjo është histori njerëzish të korruptuar. Ai kapi opozitën e detyroi të bëjë ato veprime të çmendura. Kjo është fuqia e Edi Ramës. Nëse do kishim një opozitë serioze që merr pjesë në zgjdhje dhe ndeshet dhëmbë për dhëmbë me Edi Ramën. Këtu kemi të bëjmë me një mafie ndërkombëtare që ka gjetur një vend për të ndërtuar parajsën e vet të korrupsionit ose do kishim një reagim shumë të fortë prej kohësh”, tha Meta.
Ai shtoi se Rama është kapur në flagrancë në komunikimet me Charles McGonigal dhe përmendet 14 herë në dosjen e drejtësisë amerikane.
“Ai njëherë thotë është miku im pastaj thotë është miku im në anglisht. Ai është i kapur në flagrancë. Përmendet 14 herë në dosje. Hetimet vazhdojnë. Ata kanë problemin e tyre sepse institucionin më rëndësishëm që kanë për kundërzbulimin dikush ka tentuar t’ia korruptojë. Kudo përmendet 14 herë vetëm ky person. Thuhet të hetohen të gjitha komunikimet që kanë pasur të gjithë personat e qeverisë shqiptare.
Ky është një proces që vazhdon pasi takimet e tyre kanë qenë të pafundme. Ai ka marrë një pagesë 225 mijë dollar nga personi A që është filmuar dhe fotografuar. Që në momentin që kanë parë që nga jashtë ka kaluar një pagesë nga një kompani me kapital rus ata e kanë ndjekur. Aty në vendimin e gjykatë rezulton se personi A ka marrë informacione nga zyra e kryeministrit kundër opozitës për të lobuar kundër saj. E gjithë maska ka rënë përfundimisht dhe ai ka dalë si është i vërteti dhe më i pabesi”, u shpreh Meta