Ndërtuar në shekullin e XX, lagja Grizë në shekullin e XXI, pa asnjë investim për 36 vjet

Fier – Lagjja Grizë, e ndërtuar pas viteve ’90, sot numëron rreth 36 vite ekzistencë, por infrastruktura e saj duket sikur koha ka ndaluar. Në këtë zonë, ku jetojnë rreth 80 familje, mungojnë investimet bazë, ndërsa banorët thonë se janë lënë plotësisht në harresë nga institucionet vendore.
Pamjet filmike tregojnë rrugë të paasfaltuara, baltë në ditë shiu dhe pluhur në ditë vere. Shtëpi të ndërtuara me mund e sakrificë, por të rrethuara nga mungesa e kushteve minimale. Banorët theksojnë se, edhe pse i kanë banesat të legalizuara dhe me dokumentacion të rregullt, asnjë projekt publik nuk ka prekur këtë lagje që nga krijimi i saj.
Sipas tyre, gjithçka është bërë me forcat e veta.
Rrugët i kanë hapur dhe i kanë shtruar vetë.
Rrjetin e energjisë elektrike e kanë tërhequr po vetë nga kabinat deri në banesa, duke paguar nga xhepi i tyre çdo metër kabull.
Ndërkohë, taksat i paguajnë rregullisht në Bashkia Fier, por investime nga kjo bashki, sipas tyre, nuk kanë parë asnjëherë.







“Ne i kemi bërë të gjitha vetë. Rrugën e kemi shtruar me lekët tona. Dritat i kemi tërhequr vetë. Taksat i paguajmë çdo vit, por nga bashkia nuk kemi parë asnjë investim. Na kujtojnë vetëm kur afrohen zgjedhjet.”
Më shqetësuese mbetet mungesa e ujit të pijshëm dhe e kanalizimeve të ujërave të zeza. Rreth 80 familje jetojnë pa një sistem të rregullt furnizimi me ujë dhe pa rrjet të mirëfilltë kanalizimesh. Ujërat e zeza derdhen në mënyrë të improvizuar, duke krijuar rrezik për ndotje dhe probleme shëndetësore, veçanërisht për fëmijët.
Pamjet që shoqërojnë reportazhin tregojnë kanale të hapura, rrugë të dëmtuara dhe mungesë totale ndriçimi publik në disa segmente, pa trotuare, pa kosha për të hedhur mbetjet utbane.








“Kur bie shi, këtu bëhet kënetë. Fëmijët nuk mund të dalin. Ujë të pijshëm nuk kemi rregullisht. Kanalizime nuk ka. Jetojmë në 2026 dhe kushtet janë si para 30 vitesh.”
Banorët shprehen se çdo herë që afrohen zgjedhjet për kryetar bashkie apo deputet, përfaqësues politikë shkojnë në lagje, dëgjojnë ankesat dhe premtojnë investime për rrugë, ujë dhe kanalizime. Por pas përfundimit të procesit zgjedhor, sipas tyre, gjithçka mbetet vetëm premtim.
Ata theksojnë se kanë bërë ankesa pranë njësisë administrative të Portëz dhe pranë Bashkia Fier, por deri më sot nuk ka pasur asnjë ndërhyrje konkrete në terren.
Lagjja Grizë mbetet kështu një realitet i hidhur i një komuniteti që kërkon vetëm shërbime bazë: rrugë të shtruara, ujë të pijshëm, kanalizime dhe ndriçim publik.
Në shekullin XXI, 36 vite pas ndërtimit, banorët e kësaj lagjeje nuk kërkojnë luks – kërkojnë dinjitet.











