Nga simbol i furnizimit me ujë, në rrezik për jetën – 7 kullat e Myzeqesë drejt shembjes

Fier – Struktura të viteve ’80 sot të amortizuara dhe jashtë kontrollit
Ato që dikur ishin krenaria e infrastrukturës ujore në zonën e Myzeqesë, sot janë kthyer në karakatina të braktisura që rrezikojnë seriozisht jetën e banorëve. Shtatë kulla uji në fshatrat Shën Pjetër, Hoxharë, Darrzezë, Topojë, Seman, Suk 1 dhe Suk 2, në bashkitë Fier dhe Roskovec, janë degraduar totalisht.
Të ndërtuara rreth viteve ’80 dhe për dekada me radhë në funksion të plotë, këto struktura furnizonin me ujë të pijshëm 24 orë disa fshatra të zonës. Sot, dy prej tyre janë jashtë funksionit, ndërsa të tjerat paraqesin amortizim të theksuar: hekur i ndryshkur i ekspozuar, beton i plasaritur dhe copa që bien herë pas here.
Banorët: “Po presim tragjedinë”
Banorët e zonës shprehen të shqetësuar, duke theksuar se ankesat e tyre kanë mbetur pa përgjigje konkrete.
Ata paralajmërojnë se në rast shembjeje, pasojat mund të jenë të rënda: rrezikohen banesat përreth, automjetet që qarkullojnë në aksin drejt bregdetit, por edhe fëmijët që kalojnë pranë këtyre strukturave çdo ditë për në shkollë.



Furnizimi me ujë sot dhe krahasimi me të shkuarën
Aktualisht, furnizimi me ujë realizohet përmes një rrjeti tjetër, por sipas banorëve, situata ka qenë më e qëndrueshme dhe më e sigurt kur kullat ishin funksionale.
Ata theksojnë se përveç rrezikut fizik, degradimi i kullave simbolizon edhe mungesën e investimeve në infrastrukturën bazë të zonave rurale.




Ekspertët: Ndërhyrja urgjente dhe me kosto të përballueshme
Inxhinierë hidroteknikë, jashtë kamerës, shprehen se situata kërkon ndërhyrje urgjente. Sipas tyre, nevojitet një studim i plotë i linjave të ujësjellësit dhe një vlerësim teknik i gjendjes strukturore të kullave.
Ata theksojnë se kostoja e riparimit apo e çmontimit të sigurt nuk konsiderohet e lartë, krahasuar me rrezikun që paraqet lënia e tyre në këtë gjendje.



Ndërsa vitet kalojnë dhe strukturat vijojnë të degradohen, banorët kërkojnë reagim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse. Për ta, çështja nuk është më vetëm infrastrukturore, por një rrezik real për jetën.
Nga simbol i furnizimit me ujë për dekada, kullat e Myzeqesë sot qëndrojnë si monumente të harresës, në pritje të një ndërhyrjeje që të shmangë tragjedinë./ ALB365/ Xhemil Beharaj











