Monday, November 25, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeAKTUALITETOperacioni policor "Vlera" sekuestron ikona e piktura me vlerë 1.5 milionë euro....

Operacioni policor “Vlera” sekuestron ikona e piktura me vlerë 1.5 milionë euro. Alushi, nuk janë të vjedhura, çështja do shkoj në Strasburg.

Fier – Rezultatet e operacionit policor të koduar “Vlera”, në kuadër të të cilit, pas një pune intensive hetimore me metoda proaktive, u bë i mundur arrestimi në flagrancë i 2 shtetasve që ushtronin veprimtari kriminale në fushën e trafikimit, kryesisht të veprave të artit dhe të kulturës.

Në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë, për goditjen e fenomeneve kriminale, me qëllim sundimin e ligjit në territor, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, nëpërmjet inteligjencës policore, siguruan informacion për një rast të trafikimit të veprave të artit dhe kulturës, të cilin e referuan në Prokurori.

Bazuar në informacionin e referuar nga DVP Fier, Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier regjistroi procedimin penal, i cili u ndoq për rreth 5 muaj, me metoda proaktive.

Si rezultat i provave të siguruara gjatë hetimit proaktiv, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, finalizuan operacionin policor të koduar “Vlera”.

Gjatë këtij operacioni, u ushtrua kontroll në dy banesa në qytetin e Fierit, konkretisht në banesat e shtetasve Sh. K. dhe P. P., ku shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 107 vepra arti të dyshuara të trafikuara nga shteti grek, ndër të cilat ikona dhe piktura të autorëve grekë dhe rumunë, shpata dhe sende të tjera që dyshohet se i përkasin periudhës së antikitetit, një kokë mermeri e dyshuar e shekullit të dytë para lindjes së Krishtit, të gjitha këto me vlerë rreth 1.5 milionë euro, si dhe automjeti furgon me të cilin autorët transportonin veprat nga shtetit grek, në Shqipëri, municion luftarak, një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa dhe një peshore elektronike.

Në vijim të operacionit u bë arrestimi në flagrancë i 2 autorëve të dyshuar të kësaj veprimtarie krimianale, shtetasve Sh. K., 51 vjeç dhe P. P., 57 vjeç, të dy banues në Fier, për veprat penale “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës”, “Trafikimi i armëve dhe municionit luftarak” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, të kryera në bashkëpunim.

Nga hetimi rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë ende të paidentifikuar, kanë trafikuar vepra arti nga shtetit grek, për t’i shitur në Shqipëri.

Vijon puna hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të përfshirë.

Gjithashtu do të bashkëpunohet me Policinë greke, për të zbardhur dhe dokumentuar këtë veprimtari kriminale dhe për të çuar përpara drejtësisë edhe shtetasit e tjerë të implikuar.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier janë angazhuar maksimalisht gjatë muajve të fundit, për goditjen e veprimtarive kriminale në të gjitha fushat. Në kuadër të megaoperacioneve kombëtare “Tempulli” dhe “Sundimi i ligjit” janë çuar përpara përgjegjësisë penale, 64 shtetas të implikuar në veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike në afërsi të shkollave, shtetas që qarkullonin me armë zjarri, të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale etj. Gjithashtu, gjatë këtyre operacioneve janë sekuestruar armë, drogë dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Njëkohësisht, strukturat e Policisë në qarkun Fier janë të angazhuara maksimalisht për zbatimin e masave të përcaktuara në Paketën për Sigurinë në shkolla, kopshte dhe çerdhe.

Të nderuar qytetarë, bashkëpunimi me ju është një shtyllë e fortë ku mbështetet puna jonë, ndaj përfitoj nga rasti t’ju falënderoj dhe t’ju ftoj sërish që të bashkëpunoni me ne, për denoncimin e çdo paligjshmërie. Dua t’ju siguroj se Drejtoria Vendore e Policisë Fier është në gatishmëri të plotë dhe ka marrë të gjitha masat që festat e fundvitit të mos veniten nga episode kriminale.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME