Një kompani në Kaliforni po prodhon një material që mund të përftojë ftohje, duke përcjellë nxehtësinë në hapësirë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Matt Dibble sjell më shumë hollësi për këtë metodë të re që nuk shpenzon energji.
Në pamje të parë, mund të duken si panele diellore, por sistemi që po instalohet mbi çatinë e këtij dyqani do të funksionojë krejt ndryshe. Duke e dërguar nxehtësinë në hapësirë, do të ndihmojë në ftohjen e dyqanit.
Teknologjia funksionon nga “ftohja përmes rrezatimit”, një dukuri natyrale që nuk kërkon energji shtesë.
Gjatë ditës, nxehtësia e diellit thithet kryesisht nga objektet në Tokë dhe atmosfera. Por një pjesë e saj me rreze infra të kuqe mbetet duke shkuar në hapësirën e ftohtë.
Shtresa që mbulon këto panele është krijuar për ta eliminuar nxehtësinë e mbetur.
“Do të thotë ta identifikosh energjinë infra të kuqe ose termike të një objekti dhe përmes rrezatimit ta dërgosh në atmosferë”, thotë shefi ekzekutiv i kompanisë SkyCool Systems që e realizon një gjë të tillë.
Panelet përmbajnë një lëng, të cilin kjo shtresë e ftoh deri në gati 5 gradë Celsius, thotë SkyCool, një kompani në Kaliforni.
“Është një hark relativisht i gjatë dhe kjo shtresë e ftoh lëngun gjatë qarkullimit”, thotë Joel Rinsky, Zëvendës President i kompanisë “SkyCool Systems”.
Lëngu i ftohtë dërgohet në sistemin e ftohjes së ndërtesës për ta rritur efektivitetin. E vetmja energji që përdor ky proces është ajo për një pompë të vogël për të qarkulluar lëngun.
“Sistemet SkyCool i kursejnë një pronari dyqani 15 deri në 20% të kostos për ajrin e kondicionuar.”
Teknologjia e ftohjes mund të ketë shumë përdorime. Një projekt në Indi e instaloi atë në kioskat e shitësve, duke ulur temperaturën e ambientit dhe duke mbajtur të freskëta frutat dhe perimet.
Kompania po punon gjithashtu për një material për ndërtesat në vendet në zhvillim që nuk kanë ajër të kondicionuar.
“Nëse mund t’i ftohësh ato ndërtesa pa energji elektrike, pa ujë dhe të sigurosh kushte komode brenda, kjo ka potencialin për të shpëtuar jetë, dhe në mënyrë dramatike të rrisë produktivitetin në mbarë botën.”
Duke përfituar nga një dalje drejt hapësirës, për të ftohur një planet që po nxehet gjithnjë e më shumë./VOA/