AKTUALITETTOP-NEWS

Pranga efektivit të Antiterrorit, dyshohet se informonte trafikantët e drogës

Oficeri i Antiterrorit, Igli Haxhiaj si pjesë e hetimit të madh antidrogë të zhvilluar nga SPAK dhe autoritetet italiane, ku dyshohet se ka bashkëpunuar me një organizatë kriminale të përfshirë në trafik ndërkombëtar kokaine. Sipas burimeve hetimore, Haxhiaj akuzohet për nxjerrje të sekretit hetimor, korrupsion dhe shpërdorim detyre, dyshime që lidhen me periudhën kur ai shërbente te Operacionalja.

Arrestimi i tij vjen në kuadër të një operacioni të gjerë ndërkombëtar që nisi në orët e para të mëngjesit në Itali, Shqipëri, Francë dhe Angli, ku mbi 150 oficerë të Guardia di Finanza të Breshias dhe S.C.I.C.O., me mbështetjen e Europol, Eurojust dhe policive partnere, po ekzekutojnë 24 masa paraburgimi dhe sekuestrime që kapin vlerën e 3 milion eurove. Ky operacion është produkt i një hetimi pesëvjeçar të Prokurorisë së Antimafias italiane, i cili ka përdorur dekodim të komunikimeve të enkriptuara, përgjime dhe monitorim të gjatë në terren.

Grupi kriminal, me bazë operative në Shqipëri dhe degë në disa rajone të Italisë, dyshohet se ka importuar mbi 1 300 kilogramë kokainë nga Amerika e Jugut, duke shfrytëzuar portet e Evropës Veriore dhe transportin me mjete të rënda drejt Italisë. Droga shpërndahej më pas në gjashtë qendra të organizuara si baza logjistike, ndërsa paratë e fituara qarkullonin përmes “korrierëve” që udhëtonin në linjat Itali–Shqipëri.

Në fazat e mëparshme të hetimit janë arrestuar në flagrancë 10 persona dhe janë sekuestruar 550 mijë euro, 130 kilogramë drogë dhe disa automjete, ndërsa kontrollet vazhdojnë në mbi 35 adresa në territorin italian. Arrestimi i oficerit Haxhiaj e zgjeron më tej skandalin, duke treguar se hetimi ka prekur edhe struktura të sigurisë brenda Shqipërisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button