AKTUALITETTOP-NEWS

“Prej dekadash në gjyqe për tokën: Dëshmia me lot e banorit nga Bejari i Mallakastrës”

Babai e vëllai vdiqën, unë 72 vjeç, po vdes dhe unë, fëmijët mbeten me hasmëri me komshinjtë, sepse një rrugë na ndan me zaptuesit e pronave.”

Mallakastër – Tomorr Osmanaj, banor i fshatit Bejar në njësinë administrative Fratar, bashkia Malakastër, prej një jete të tërë endet dyerve të gjykatave për të drejtën e pronës së tij.

Sipas rrëfimit të tij, gjithçka nis nga dokumentacioni i trashëguar nga i ati, i cili që në vitet 1995, me vendim të Gjykatës së Ballshit, kishte përfituar ligjërisht rreth 7200 metra tokë bujqësore dhe 1200 metra truall. Dokumentet, sipas Osmanajt, janë të rregullta dhe të pakontestuara nga ana ligjore.

Por prej dekadash, ai thotë se është në konflikt me disa fqinjë, mes tyre edhe dy kushërinj të parë, të cilët sipas tij kanë zaptuar pronën me forcë. Osmanaj pretendon se kjo situatë është vërtetuar edhe me dokumente të lëshuara nga ish-kryetari i komunës Fratar, ku thuhet se toka është e zënë padrejtësisht.

Nga ana tjetër, pretenduesit për tokën, sipas tij, paraqesin dokumente që ai i konsideron të falsifikuara, ndërsa shton se ata nuk disponojnë certifikatë të rregullt pronësie.

Çështja ka kaluar në disa procese gjyqësore. Në Gjykatën e Shkallës së Parë në Fier, pas një procesi që zgjati rreth tre vite, u dha një vendim përfundimtar, ku Osmanajt iu njoh vetëm një pjesë e pronës – rreth 900 metra tokë – ndërsa pjesa tjetër, përfshirë truallin, nuk iu kthye.

Konflikti, sipas tij, vijon që prej afro 10 vitesh, kur pretendon se fqinjët ia zunë tokën, duke u mbështetur në dokumente që nuk provojnë pronësinë.

Sot, çështja ndodhet në Gjykatën e Apelit, por sipas Osmanajt, prej pesë vitesh nuk është caktuar asnjë datë për shqyrtim.

Me lot në sy, ai tregon se kjo betejë ligjore i ka marrë gjithçka: “Babai im ndërroi jetë, edhe vëllai im po ashtu. Tani jam unë që sorollatem dyerve të gjykatës. Kemi pesë vite në apel dhe nuk na jepet asnjë përgjigje.”

Ai shpreh dyshimin se zvarritja e drejtësisë mund të jetë e qëllimshme, ndërsa shton se konfliktet për pronën kanë krijuar edhe tensione të vazhdueshme me fqinjët.

Megjithatë, pavarësisht viteve që kalojnë, Tomorr Osmanaj thotë se nuk do të heqë dorë nga e drejta e tij, duke kërkuar drejtësi nga shteti – edhe pse, sipas tij, një drejtësi e vonuar mbetet një drejtësi e munguar. ALB365

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button