AKTUALITET
Pritet sot ekstradimi i Dritan Rexhepit nga Turqia
I shumëkërkuar Dritan Rexhepi alias Gramos Rexhepi pritet që ditën e sotme, të ekstradohet në Shqipëri nga Turqia. Rexhepi konsiderohej si një ndër narkotrafikantët më të fuqishëm dhe akuzohet se transportonte drogë nga Amerika e Jugut në Evropë.
Ai dyshohet të ketë qenë vrasësi i parë me pagesë në vendin tonë dhe është dënuar me 25 vite burgim në mungesë për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, Arben Keqi e Durim Kasmi në vitin 1998.
Rexhepi u arratis në vitin 2007 nga policia e Durrësit pasi këta të fundit e morën për t’i bërë një foto e për ta shpërndarë në media. Ndërkohë një vit më pas kapo i bandës së drogës mbahet mend për një arratisje spektakolare nga burgu i Pavias në Itali.