Xixëllonjat plot dritë që na sjellin ndërmend momentet më të bukura të fëmijërisë. Është i madh malli për stinët e kaluara në natyrë, nën mantelin e qiellit plot yje dhe në praninë e xixëllonjave, të cilat me shkëlqimin e tyre shpesh e bënin natën ditë. Por, kur është hera e fundit që ke parë një xixëllonjë?
Nëse nuk e mban mend, atëherë ka kaluar shumë kohë dhe nëse i ke parë rrallë problemi mbetet serioz. Çfarë po ndodh në të vërtetë?
Bletët nuk janë të vetmet specie në zhdukje, pasi edhe fluturat po hasin vështirësi. Por me xixëllonjat situata është mjaft problematike. Prej vitesh, shkencëtarët kanë paralajmëruar shuarjen e 2,000 specieve të ndryshme të xixëllonjave.
Nuk është aspak çudi. Dora e njeriut në mjedis është shkatërrimtare. Krijesa të ndryshme ‘janë pa shtëpi.” Xixëllonjat shumohen dhe jetojnë në pyje, pranë liqeneve dhe lumenjve, nëpër kopshte dhe lëndina. Por kur betoni zapton çdo hapësirë të gjelbër, xixëllonjat humbasin habitatin e tyre.
Sikur betoni të mos mjaftonte, ekzistenca e tyre ndikohet për keq edhe nga pesticidet dhe ndotjet e shkaktuara nga njeriu. Xixëllonjat rrëfejnë më së miri shëndetin e mjedisit që na rrethon.
Sipas Dokumentit Shkencor Mbi Xixëllonjat, ato po shuhen në mbarë botën si rezultat i degradimit dhe humbjes së habitatit të tyre, ndotjes së lumenjve, përdorimit në rritje të pesticideve dhe ndotjes së vazhdueshme të ndriçimit në zonat e banuara nga njerëzit.
Xixëllonjat janë pjesë e trashëgimisë së biodiversitetit. Ato janë krijesa ikonë dhe kanë luajtur një rol të rëndësishëm në shumë kultura dhe qytetërime. Këto insekte fluturuese janë si zanat e përrallave. Ato janë epitoma e mbrëmjeve më të bukura verore dhe dashuria e parë me mrekullitë e natyrës për shumë prej nesh.
Nëse humbasim xixëllonjat, do të këpusim njëherë e mirë atë fillin e hollë që na lidh me magjinë e nënës natyrë dhe botës së mrekullueshme të saj. Njeriu nuk mundet ta përballojë një humbje të tillë, sado e parëndësishme në dukje.
Ajo që ne mundemi të bëjmë është të krijojmë mundësi nëpër kopshtet tona për xixëllonjat duke:
shmangur përdorimin e kimikateve.
lejuar krimbat dhe kërmijtë të shërbejnë për ushqimin e larvave të xixëllonjave
fikur dritat e verandave apo kopshteve
krijuar bimësi të bollshme për to.
Këto hapa mund të duken të rëndomtë, por ruajtja e xixëllonjave ka shumë rëndësi. Habitatet e xixëllonjave shfrytëzohen edhe nga shumë krijesa të tjera të natyrës si zvarranikët, zogjtë, amfibët dhe shumë specie të tjera. Sa më shumë krijesa të natyrës të humbasim aq më pak do të investohemi në aspektin emocional.
Xixëllonjat janë të domosdoshme të vazhdojnë misionin e tyre si ambasadorë të magjisë së natyrës./AgroWeb