Qarri dhe nënkalimi Levan–Vlorë nën ujë: Kolektorët e bllokuar përmbytin toka bujqësore

Fier : Reshjet intensive të ditëve të fundit, të kombinuara me mospastrimin e kolektorëve të ujërave të rrjedhjes, kanë përmbytur sipërfaqe të gjera bujqësore në zonën e Qarrit dhe nlnjalimin e autostradës Levan–Vlorë.
Situata është përshkallëzuar veçanërisht në 24 orët e fundit, ku uji ka pushtuar tokat e mbjella me kultura të stinës, duke rrezikuar prodhimin dhe investimet e fermerëve lokalë.
Nënkalimi i Qarrit në autostradën Levan–Vlorë, aktualisht është i mbuluar nga ujërat, të cilët kanë dalë mbi sipërfaqe për shkak të bllokimit të kolektorëve.








Banorët tregojnë se situata është e përsëritur dhe ndodh sa herë që bie shi i dendur. Ata thonë se kolektorët janë të mbushur me baltë, inertë dhe mbetje, duke mos lejuar tërheqjen e ujit. Për të mos mbetur të izoluar, ata kanë improvizuar një kalim provizor poshtë nënkalimit, duke rrezikuar vetë për të siguruar daljen në zonat përreth.
Banorët flasin për ALB365:
“Kjo ndodh përditë sa herë bie shi i madh. Kolektorët nuk pastrohen prej vitesh. Ne kemi ngritur zërin, kemi bërë ankesa, por askush nuk vjen. Uji na futet në ara, dëmtohen gruri, jonxha, pemët. Vetë kemi hapur një rrugë që të dalim, se ndryshe mbetemi brenda.”
Fermerët e zonës shprehen se dëmet janë të pashmangshme dhe në rritje. Sipas tyre, institucionet përgjegjëse – bordi i kullimit dhe strukturat e bashkisë Fier – nuk kanë kryer detyrimet për pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit kullues. Ata thonë se ky është problemi kryesor që përmbyt tokat edhe në reshje të zakonshme, jo vetëm gjatë stuhive të forta.








Situata pritet të mbetet e vështirë edhe në orët në vazhdim, pasi reshjet janë parashikuar të vazhdojnë me intensitet mesatar.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për hapjen e kolektorëve, në mënyrë që uji të tërhiqet dhe të shmangen dëme të tjera në bujqësi, ndërkohë që kërkojnë që ky problem të mos mbetet më një rit i përvitshëm.
ALB365 do të vijojë të ndjekë nga afër zhvillimet dhe reagimin e institucioneve përballë kësaj situate që prek qindra familje dhe një nga zonat bujqësore më të rëndësishme të Fierit.









