MAGAZINË

Replikat Rama – Braçe në shtabin e PS: “Po e bën për provokim tani?”

Erion Braçe ishte një nga ata që nuk e priti mirë vendimin e kryesocialistit Edi Rama lënien në listën e hapur të kandidatëve për deputetë në Tiranë. Pakënaqësinë e ka shprehur në disa komente radhazi në rrjetet sociale.

Nga ana tjetër edhe vetë Rama nuk e fsheh bezdisjen nga kritikat e deputetit të PS. Të dy u përballën mbrëmjen e së premtes gjatë një mbledhjeje që u bë në shtabin elektoral të njësisë 5 në Tiranë.

Dhe sapo hyri në sallë Rama e nisi pikërisht nga ai.

“O Braçe ku je? Braçe ku je?” – iu drejtua Rama. “Ka të tjerë këtu…” – dëgjohet t’ja kthejë ai, por Rama vijon: “O Braçe na trego ndonjë gjë mor vëlla. Si jemi këtu? Si duket situata?”.

Më pas Braçe fillon të flasë për takimet që po bëhen në terren. Në një moment thotë se edhe shiu i ka penguar në disa raste, por “njerëzit kanë qëndruar me çadra”.

“Takim jashtë me çadra?” – pyet Rama.

“Po ti shikoje ndonjëherë Instagramin tim o burrë se ne e shikojmë Instagramin tënd çdo ditë. Mund ta shohësh edhe ti se s’bëhet qameti. Ne të shikojmë “sy më sy” që më sabah kështu që na shih edhe ti ndonjëherë” – ia kthen ai.

“Pra jashtë me çadra. Pa hape një herë ta shohim” – dëgjohet Rama.

“Do dalë ndonjë sharje për ty” – heziton Braçe të hapë telefonin.

“Po le të dali mo. Unë jam mësuar me këto tani” – ia ktheu kryeministri.

Kur deputeti i tregon disa foto nga celulari i tij, Rama thotë: “Po ky nuk është takim. Ka ndaluar Braçja disa njerëz në rrugë”.

Më pas deputeti i tregoi Ramës edhe disa nga shqetësimet e zonës siç është çështja e legalizimeve të prapambetura në zonën e Selitës. Ai kërkoi që të hartohej një plan konkret për këtë çështje pasi ka ndërtesa të palegalizuara që nga koha e diktaturës.

Por Rama heshti.

Më pas Braçe kërkoi të zgjidhet çështja e pallateve parafabrikate në zonën e “Pallatit me shigjeta” duke kërkuar një zgjidhje për veshjen e tyre me termoizolim.

“Aty kam banuar unë” – e ndërpreu Rama.

“Nuk ma thanë këtë” – ia ktheu ai.

“Po mirë mo se unë nuk jam figurë historike që të të thonë këtu ka pasur shtëpinë filani. Hej Zot” – iu përgjigj Rama.

“Je tani figurë historike” – e thumboi Braçe.

Kreu i qeverisë shprehu rezerva edhe për këtë kërkesë pasi tha se “nuk ishte i bindur nëse pallatet parafabrikat mund të vishen me sistemin kapotë”.

“Po mirë mo ta shikojmë një herë” – këmbënguli Braçe.

“Aty mund të bëhet ndonjë gjë nëse banorët janë dakord… mund të bëhet ndonjë gjë me prishje, me ribërje që të bëhet më shumë dhe që të dalë dhe investimi” – dëgjohet Rama dhe më pas diskutimi mbyllet pasi ai fillon të pyesë të tjerët.

Në një moment Braçe fillon t’i prezantojë të pranishmit me radhë, por Rama e ndërpret sërish: “I njoh unë këta”.

“Ai është Nazmiu që e kemi kockë të fortë të Selitës” – vijon Braçe.

“Po e njoh mos si nuk e njoh” – përgjigjet Rama.

“Të njeh Nazmi” – e thumbon Braçe.

“Po i njoh mo, për ça e bën këtë? E bën për provokim tani?” – ia kthen Rama

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button