Rruga drejt varrezave, peng i harresës/ 1200 banorë të Cakranit përballen me vështirësi në momentet më të dhimbshme

Rreth 1200 banorë të fshatit Cakran i Ri përballen me një situatë të rëndë infrastrukturore që prek drejtpërdrejt dinjitetin e tyre në momentet më të vështira të jetës. Rruga prej 700 metrash që të çon drejt varrezave të fshatit është e amortizuar, e pakalueshme në disa segmente dhe veçanërisht problematike gjatë dimrit.
Banorët tregojnë se vështirësia nuk është vetëm për të përcjellë të afërmit në banesën e fundit, por edhe për të marrë pjesë në ritet mortore dhe përkujtimore. Rruga malore, e mbushur me gropa dhe e pashtruar, e bën pothuajse të pamundur kalimin e mjeteve funerale, veçanërisht për të rinjtë dhe të moshuarit.





Megjithëse u është premtuar ndërhyrje nga drejtuesit vendorë, deri tani asnjë investim konkret nuk është realizuar. Problemi shtrihet edhe tek varrezat, të cilat janë të papastra dhe të parethuara, me bari të thatë dhe shkurre që rrezikojnë zjarrin gjatë verës, ndërsa dimri lejon hyrjen e kafshëve të egra që dëmtojnë varret.






Ish-kandidatja për deputete e PD, Samena Malenaj, ka pohuar se qeveria ka lënë këtë komunitet në harresë. Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente për të rikthyer dinjitetin e një hapësire që duhet të jetë e shenjtë dhe e respektuar, duke kërkuar kushte minimale për të nderuar të dashurit e tyre pa pengesa dhe pa frikë.









