Tuesday, December 3, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeBOTAScholz, do ketë valë dëbimesh emigrantësh nga Gjermania

Scholz, do ketë valë dëbimesh emigrantësh nga Gjermania

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka vizituar të hënën vendin e ngjarjes në Solingen për të nderuar viktimat e sulmit me thikë gjatë festivalit që shënonte 650-vjetorin e themelimit të qytetit. Atentatori kishte prerë enkas me thikë fytet e viktimave, të cilat, sipas policisë, i kishte zgjedhur rastësisht. Tre të vdekur dhe tetë të plagosur, ky ishte bilanci i këtij akti që ka tronditur Gjermaninë

“Ishte terrorizëm kundër nesh, kundër të gjithëve, një kërcënim për jetën dhe bashkëjetesën tonë. Ky është synimi i atyre që planifikojnë dhe kryejnë atentate të tilla, por ne nuk do ta pranojmë dhe as nuk do ta tolerojmë kurrë,” tha kancelari, i prekur nga rrëfimet e dëshmitarëve. Më parë Olaf Scholz ishte takuar edhe me përfaqësues të forcave të shpëtimit, të cilët i kishin rrëfyer përjetimet traumatike të tyre dhe të të pranishmëve të tjerë.

Thirrje për dëbimin e azilkërkuesve të refuzuar

Ndërsa qyteti i Solingenit ende është nën shokun e asaj që ndodhi të premten, në qeverinë e Berlinit dhe në kancelaritë e landeve të tjera gjermane ka shpërthyer një debat i ashpër se si mund të parandalohen ngjarje të tilla në të ardhmen. Olaf Scholz, i cili vetë ndodhet nën presionin e dy zgjedhjeve që zhvillohen në dy lande lindore, premtoi edhe para medieve në Solingen se do të merrte “një sërë masash”: Ai përmendi “ashpërsimin e ligjit të armëve”, “dëbime më konsekuente të azilkërkuesve të refuzuar” dhe “një luftë më të ashpër kundër islamizmit”.

I dyshuari për sulmin në Solingen ishte një 26-vjeçar nga Siria, i cili iu vetëdorëzua policisë gjermane të shtunën. Mendohet të ketë pasur lidhje me Shtetin Islamik, pasi kjo organizatë terroriste kishte marrë përsipër autorësinë e ngjarjes, të dielën, në një mesazh me video. Fakti që 26-vjeçari, megjithëse i ishte refuzuar e drejta e azilit, vazhdonte të jetonte në Gjermani, ka ndezur një debat të ashpër sidomos mes pozitës dhe opozitës.

Qeveria refuzon heqjen e të drejtës së azilit për sirianët dhe afganët

Kryetari i partisë opozitare CDU, Friedrich Merz, ka kërkuar madje që të mos pranohen më refugjatë nga Siria dhe Afganistani, dhe u shpreh për dëbime të shpejta të azilkërkuesve të refuzuar në këto vende. “Të gjelbrit edhe sot vijojnë ta kundërshtojnë këtë”, tha Merz për stacionin e parë televiziv ARD, the theksoi se “siguria e popullsisë duhet të ketë përparësi”.

Qeveria federale e koalicionit tripartiak të qendrës së majtë e refuzon këtë kërkesë. Zëdhënësi i qeverisë, Steffen Hebestreit, deklaroi të hënën në konferencën e rregullt të shtypit në Berlin, se një veprim i tillë do të ishte shkelje e Kushtetutës dhe rregulloreve të BE-së për të drejtat e njeriut. Hebestreit shtoi se qeveritë duhet të respektojnë Kushtetutën dhe theksoi rëndësinë e të drejtës individuale për azil si një nga arritjet më të rëndësishme të Kushtetutës Gjermane.

Reformë në ligjin e armëmbajtjes

Gjermania është tronditur edhe më parë nga sulme të përgjakshme të kryera nga azilkërkues. Në fund të qershorit, një 26-vjeçar nga Afganistani, të cilit gjithashtu i ishte refuzuar e drejta e azilit, vrau një polic gjatë një atentati të ngjashëm me thikë. Edhe atëherë kancelari gjerman tha se do të merreshin masa për parandalimin e ngjarjeve të tilla.

Njëra syresh është ashpërsimi i ligjit të armëmbajtjes. Konkretisht, bëhet fjalë për ndalimin e përdorimit të thikave me tehe mbi 6 centimetra në vende publike të caktuara, siç bëhet e ditur nga raportimet në media. Deri tani këtë e kundërshtonte një nga partitë e koalicionit të qendrës së majtë, FDP, por pas ngjarjes në Solingen, ministri i drejtësisë, Marco Buschmann, i cili është nga kjo parti, ka njoftuar se do të ketë bisedime mbi këtë çështje.

Luftë kundër islamizmit

Por kolegë të partisë së ministrit liberal janë të mendimit se këto masa janë të pamjaftueshme dhe kërkojnë ndryshime të thella në politikën e migracionit si reagim ndaj sulmit në Solingen. Christoph Meyer, zëvendëskryetar i grupit parlamentar të kësaj partie, ka kritikuar masat simbolike si zonat e ndalimit të thikave, duke i cilësuar ato si “luftim i simptomave” që nuk adresojnë problemin në thelb.

Sipas tij, Gjermania përballet me “probleme të dukshme me të rinjtë e dhunshëm, islamizmin dhe migracionin e paligjshëm,” dhe u bëri thirrje partnerëve të koalicionit që të mos injorojnë këto çështje, duke e quajtur mohimin e tyre një “gënjeshtër të së majtës.”

Ministrja federale e Brendshme Nancy Faeser, u shpreh gjithashtu për të luftuar më shumë islamizmin. “Ne si shtet do të përgjigjemi ndaj këtij akti terrorist me të gjithë ashpërsinë e nevojshme dhe do të luftojmë në mënyrë konsekuente kërcënimin islamist,“ tha politikania e SPD-së për gazetat e grupit mediatik Funke (botimi i së hënës). /Marrë nga DW

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME