SHËNDET

Shenjat e fshehta të depresionit që nuk duken aspak si të tilla

Sa gjatë mund të jetojnë brenda teje shenjat e vogla, të heshtura, derisa një ditë gjithçka të shpërthejë? Për shumë njerëz, depresioni nuk fillon me një moment dramatik, por me ndryshime të vogla që kalojnë pa u vënë re.

Vite më vonë, shumë prej atyre që kanë kaluar periudha të vështira e kuptojnë se kishte sinjale të hershme, shenja që, nëse do të ishin dalluar në kohë, mund të kishin shmangur një rrugë të gjatë dhe të vetmuar.

Ja katër shenja të papritura të depresionit që shpesh nuk duken si të tilla:

1. Nuk ke më nerva për asgjë

Është normale ndonjëherë të mos kesh një mendim të fortë për gjëra të vogla. Por kur kjo bëhet e përditshme, mund të jetë një sinjal alarmi.

Të mos shprehësh mendimin tënd shpesh lidhet me frikën e refuzimit. Njerëzit fillojnë të heshtin për të shmangur konfliktin ose për t’u përshtatur me të tjerët. Me kalimin e kohës, kjo sjellje shtyp identitetin dhe mënyrën si shprehemi.

Studime të fundit tregojnë se vetë-censura lidhet drejtpërdrejt me depresionin: sa më shumë të mbash brenda veten, aq më e vështirë bëhet të ndihesh i kuptuar, madje edhe nga vetja.

2. Fillon të mos të interesojë më asgjë

“I don’t care” (“nuk më intereson”) bëhet një përgjigje e zakonshme. Në fillim mund të duket si indiferencë, por shpesh është diçka më e thellë.

Kur vazhdimisht thua që nuk të intereson, në fakt po mohon ndjenjat e tua. Mund ta bësh për të shmangur konfliktet ose për t’u dukur më i/e lehtë për t’u kuptuar, por kjo krijon një përplasje të brendshme.

Ekspertët theksojnë se kjo gjendje shpesh lidhet me humbjen e lidhjes me zërin e brendshëm, një shkëputje mes asaj që ndjen dhe asaj që pranon të dëgjosh nga vetja.

3. Nuk e di më çfarë do

“Nuk e di çfarë dua” tingëllon si pasiguri e zakonshme, por në shumë raste është një shenjë më e thellë.

Që në fëmijëri, shumë prej nesh mësojnë të shtypin dëshirat për t’u dukur “të mirë” ose për të mos u gjykuar. Me kalimin e kohës, këto dëshira zhduken aq thellë, sa nuk arrijmë më t’i dëgjojmë.

Studimet tregojnë se tek njerëzit me depresion, aktiviteti në zonat e trurit që lidhen me vendimmarrjen dhe planifikimin është më i ulët. Kjo e bën edhe më të vështirë të dish çfarë dëshiron dhe si ta ndjekësh atë.

4. Gjithçka të duket pa kuptim

Kur nuk ke më mendime të forta, emocione apo dëshira, fillon të ndjesh se asgjë nuk ka rëndësi.

Kjo ndjesi boshllëku është një nga shenjat më të zakonshme, por edhe më të padukshme të depresionit. Shumë njerëz e përshkruajnë si të jetuarit në “autopilot”, sikur thjesht po kalojnë ditët pa i jetuar vërtet.

Pse është e rëndësishme ta kuptosh këtë?

Komunikimi është thelbësor, jo vetëm me të tjerët, por edhe me veten. Kur ndalojmë së shprehuri mendimet, ndjenjat dhe dëshirat tona, fillojmë të humbasim lidhjen me atë që jemi në të vërtetë.

Depresioni nuk është gjithmonë i zhurmshëm. Shpesh ai është i heshtur, i fshehur pas fjalëve si “s’ka rëndësi”, “s’kam mendim” apo “nuk më intereson”.

Dhe pikërisht këtu qëndron rreziku: sepse kur nuk e dallojmë, e lëmë të rritet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button