Shkatërrohet grupi kriminal në Greqi, në pranga tre shqiptarë

Policia greke ka arrestuar pesë persona në Rodos për trafik droge, tre prej të cilëve shqiptarë. Sipas hetimeve, grupi drejtohej nga 40-vjeçari Alen Rizvani dhe furnizohej me lëndë narkotike nga Athina, duke i transportuar me anije nga Pireu drejt Rodosit. Mes të përfshirëve janë edhe Ermal Shametaj, Sotir Pano si dhe dy shtetas grekë, njëri prej tyre ushtar.
Aktiviteti i grupit u ndërpre përkohësisht pas arrestimit të dy grave, 24 dhe 32 vjeç, të kapura në maj dhe qershor 2025 me sasi të mëdha kokaine gjatë transportit nga Pireu në Rodos. Sipas autoriteteve, kjo ishte një tërheqje e përkohshme, pasi organizatori kryesor tentoi të riorganizonte rrjetin me anëtarë të rinj.
Hetimet tregojnë se grupi dyshohet të ketë trafikuar të paktën 7 kilogramë kokainë, me vlerë mbi 700 mijë euro. Gjatë operacionit u sekuestruan 327 mijë euro cash, 1.6 kg kanabis, 27.23 gramë kokainë, katër peshore precize, telefona celularë dhe shënime të dyshuara si evidencë e aktivitetit kriminal.








