POLITIKËTOP-NEWS

Shqipëria ngel sërish, zbulohet ç’ndodhi sot në Bruksel

“Ende nuk ka ndonjë përparim, por do të vijojnë më shumë raunde diskutimesh”. Ky ishte përfundimi i mbledhjes së kësaj të marte në Bruksel në Grupin e Punës për Zgjerimin (COELA) të Këshillit Europian ku u diskutua për përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit.

Një burim i brendshëm i tha lapsi.al se në grupin e përbërë nga përfaqësues të të gjitha shteteve anëtare që diskutojnë në nivel teknik dhe politik procesin e zgjerimit ka pasur sërish rezerva dhe pyetje të ngritura për reformat në Shqipëri. Sipas të njëjtit burim, në tryezë ka qenë sërish raporti IBAR, një instrument teknik që bën vlerësime nëse një vend kandidat ka përmbushur standardet ndërmjetëse për të avancuar në negociata, veçanërisht në Grupkapitullin 1 – “Themeloret” që përfshin shtetin e së drejtës, drejtësinë dhe institucionet demokratike.

IBAR është një lloj filtri kritik që përsëritet herë pas herë në vlerësimet për një vend kandidat. Pa kaluar IBAR-in, kapitujt nuk mbyllen dhe procesi mbetet në vendnumëro. Negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian nisin me këtë Grupkapitull dhe mbyllen me të, pasi ai konsiderohet si një nga më të rëndësishmit.

Lapsi.al ka raportuar edhe më herët se janë 9 vende anëtare të Bashkimit Europian që kanë ngritur shqetësime në lidhje me disa çështje që kanë vënë në pikëpyetje avancimin e vendit tonë me negociatat. Në takimin e 1 prillit të grupit të COELA, përfaqësuesit e Gjermanisë, Luksemburgut, Holandës, Suedisë, Austrisë, Finlandës, Polonisë, Greqisë dhe Bullgarisë ishin ata që shprehën rezerva për reformat në Shqipëri. Të njëjtat burime sqaruan se arsyet e dhëna prej këtyre vendeve ishin të ndryshme.

Polonia ishte kritike për klimën e biznesit, Greqia për të drejtat e pronësisë, pakicat kombëtare, Bullgaria për pakicat, Austria për çështje konkrete si IPARD-i etj. Përfaqësuesi i Estonisë u shpreh se kupton shqetësimet e Holandës, Gjermanisë dhe të tjerëve, por thekson rëndësinë e avancimit të procesit. Spanja dhe Italia shprehën mbështetje, duke theksuar se ky është edhe një problem komunikimi strategjik për BE-në, nëse nuk arrin t’i shpjegojë Shqipërisë pse procesi po vonohet.

Për shkak të rezervave, Komisioni Europian prezantoi një draft të rishikuar të pozicionit të përbashkët, duke reflektuar pjesërisht komentet e shteteve anëtare. Ndryshimet prekën një gamë të gjerë fushash, nga funksionimi i institucioneve demokratike dhe reforma në administratë, tek konfiskimi i pasurive, liria e shprehjes, të drejtat e pronësisë dhe lufta kundër korrupsionit.

Komisioni Europian, ka mbajtur deri tani një qëndrim teknikisht pozitiv për Shqipërinë duke nënvizuar se Shqipëria “ka bërë mjaftueshëm për të mbyllur pikat ndërmjetëse të Grupkapitulli 1”. Por duket se ky vlerësim teknik nuk i ka bindur vendet anëtare për t’i dhënë dritën jeshile raportit të IBAR.

Lapsi.al mësoi se grupi COELA do të mblidhet serish, pas dy ditësh, më 9 prill, kur një draft i ri pritet të hidhet nga Komisioni Europian në tryezë.

Ndryshe nga ajo që po ndodh në Bruksel, në Tiranë kryeministri Edi Rama po del çdo ditë në TV për të përsëritur se “nuk ka bllokim të negociatave” se gjithçka “po shkon sipas planit” dhe se vendet anëtare “janë thjesht duke bërë pyetje”. Sipas tij ata që thonë të kundërtën (mediat dhe opozita) “nuk punojnë për interesin kombëtar”.

“Thyerja” mes Tiranës dhe vendeve kryesore të Bashkimit Europian ishte padyshim çështja “Balluku”. Rrëzimi i kërkesës së SPAK për të hequr imunitetin e zv.Kryeministres, të marrë të pandehur nga drejtësia, duket se u mbajt shënim nga selitë më të rëndësishme diplomatike europiane në Tiranë.

Ndaj për qeverinë shqiptare, për momentin, nuk ka “asgjë të re nga fronti i Perëndimit”. ©LAPSI.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button