Shtëpi, galeri dhe punëtori në të njëjtin hapësirë

Muret prej tulle, metali i zi dhe drita natyrore krijojnë një enterier unik, ku arti dhe jeta përditshme shkrijnë kufijtë
Një shtëpi që ka bashkuar disa funksione dhe disa gjenerata në enterierin e saj autentik, artistik. Njëkohësisht punëtori arti dhe galeri pikturash e skulpturash, kjo shtëpi është mbi të gjitha një vendbanim harmonik që u siguron të gjithëve një kënd të qetë e frymëzues për jetesë dhe punë.
Në ambientin mesdhetar të qytetit spanjoll Badalona, ndodhet një shtëpi e pazakontë e quajtur Art Gallery House, e rregulluar për artistin dhe skulptorin Juan Noguera. Njëkohësisht punëtori, galeri arti dhe shtëpi familjare, kjo shtëpi është një zgjidhje frymëzuese me një sharm autentik.
Një nga sfidat gjatë projektimit ishte integrimi i veprave skulpturore të pronarit në hapësirë, gjë që çoi në konceptin e shtëpisë-galeri arti, transmeton Telegrafi.

Enterier artistik me sharm origjinal industrial
Dizajnerja e enterierit Clara Lleal thekson se ideja në formësimin e hapësirës ishte futja e një atmosfere industriale në të gjithë hapësirën, duke ruajtur dhe rinovuar materialet origjinale. U zbuluan muret prej tulle, u ruajtën harqet me trarë hekuri dhe u mbajt e paprekur shtruarja autentike prej betoni.

Duke hyrë në shtëpi, haset një zonë e madhe e hapur e ditës prej rreth 120 m², me tavan që arrin lartësi mbi 6 m në pjesën qendrore. Një nga sfidat në dizajnimin e këtij hapësire ishte krijimi i një ambienti të rehatshëm, pavarësisht madhësisë dhe lartësisë së tij.

Pjesa dominuese është një strukturë qendrore druri me dizajn të personalizuar, e cila shërben si tavolinë ngrënieje, por njëkohësisht edhe si shkalla e katërt e shkallëve që çojnë drejt çatisë.Pllaka e tavolinës është punuar nga dru me modelin e kurrizit të peshkut, i përdorur gjithashtu edhe në zonën e gjumit, duke ruajtur kështu vazhdimësinë vizuale të hapësirës.

Shkallët janë bërë prej llamarine të përkulur, ndërsa llamarina e zezë është përdorur gjithashtu për mobilet në kuzhinë, gardërobën në hyrje dhe bibliotekën.

Punëtori arti dhe galeri në harmoni me hapësirat e banimit
Me dyer të mëdha rrëshqitëse xhami në kornizë metalike të zezë, ndahet një apartament i veçantë. Zona e gjumit, gardëroba dhe hapësira e banjës janë të vendosura në të njëjtën dhomë, ndërsa dushi dhe tualeti shikojnë nga oborri, të ndarë me xham rrëshqitës. Vëmendjen e tërheq një vaskë e vendosur në qendër, ndërsa dhomën e plotëson mobilja e dizajnuar me porosi.

Materialet e përdorura ndjekin premisën industriale, duke përfshirë elementë metalikë të zinj, tulla dhe dru të ricikluar. Shfrytëzimi maksimal i dritës natyrore ishte gjithashtu një nga synimet e projektit, për çka u hapën disa dritare në tavan, ndërsa në pjesën e pasme të shtëpisë u krijua një oborr i brendshëm.

Pas dhomës së ditës, zbulohet punëtoria e artit e pronarit, e cila është ruajtur ashtu siç e kishte konceptuar ai. Lidhja e ngushtë me pjesën tjetër të hapësirës e bën atë pjesë të pandashme të tërësisë së shtëpisë.

Në kuadër të punëtorisë është edhe një banjo me lavaman të punuar me porosi prej çeliku inoks, i orientuar nga dritarja. Shkarkimi i tij është i integruar brenda murit, ndërsa rubineti del nga tavani.

Nga oborri mund të hyhet në dhomat e fëmijëve, të cilat kanë një banjo të përbashkët. Dhomat janë të ndërlidhura, të bëra në dy nivele, me galeri ku ndodhen zonat e gjumit.

Të dyja dhomat kanë gardëroba të mëdha, hapësira pune dhe zona qëndrimi me divane. Banjoja është e aksesueshme nga të dy dhomat e gjumit.

Terracat e çatisë janë rinovuar plotësisht, është vendosur dysheme sintetike për jashtë, shumë gjelbërim, si dhe një pishinë me derdhje të lirë prej çeliku inoks.

Art Gallery House është një shtëpi funksionale, e cila është njëkohësisht edhe një vepër arti frymëzuese. Konsekuente në shprehjen e saj autentike, është një shembull i jashtëzakonshëm i një hapësire multifunksionale të destinuar për disa gjenerata përdoruesish.












