Është shtyrë gjyqi ndaj ish-kryebashkiakut të Lushnjës, Fatos Tushe. Tashmë, seanca e radhës do të mbahet më datë 27 korrik ora 10:30.
Çështja ndaj tij është në fazën e mbrojtjes ndërkohë që për të, prokuroria kërkoi shpalljen fajtor për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe abuzimit me një tender për kanalet vaditëse ndërsa kërkoi dënimin e tij me 3.4 vite burg.
Kujtojmë se Tushe u arrestua me 6 korrik të vitit të kaluar bashkë me ish-vartësit e tij për akuzën shpërdorimit të detyrës. GJKKO ka rrëzuar disa herë kërkesat e tij për liri.
Arrestimi i tij u bë lidhur me një tender me vlerë rreth 24 milionë lekë për rehabilitimin e një kanali ujitës në fshatrat Bishqethëm dhe Bitaj. Nga hetimet dhe përgjimet e Prokurorisë së Posaçme të nisura në 2020-ën rezulton Fatos Tushe ka shpërdoruar detyrën në tre raste.
Përgjatë një viti hetimesh, SPAK pretendon se ish-kryebashkiaku i Lushnjes, ka kryer shkelje jo vetëm për dhënien në favor të miqve tenderin prej 23 milionë lekësh. Sipas SPAK ndonëse fituese u shpall ‘Euro Alb’, punimet për rehabilitimin e kanalit vaditës i kreu shoqëria e Ibrahim Lamit, i cili shfaqet shpesh në biseda dhe përgjime, si dhe etiketohet si ‘miku’ i ish kryebashkiakut.
Një tjetër episod kundër ish-kryebashkiakut lidhet me një telefonatë në të cilën një banor i kërkon ndihmë sepse një inspektor i kishte pezulluar ndërtimin e banesës, dhe ai i përgjigjet “Thuaji që fola me shefin”.
PJESË NGA DOSJA
Bisedat e zhvilluara midis Fatos Tushes me detyrë kryetari I Bashkisë Lushnje dhe shtetasit Ibrahim Lami në datat 24-25.09.2020 njoftojnë se ata njohen dhe kanë miqësi me njëri tjetrin
Fatos Tushe: Hë si u gdhive ça po bën
Ibrahim Lami: Hiç si u gdhive ti ça bën
Fatos Tushe: Unë nuk erdha dot se fola edhe e atë dhe e lashë javës tjetër por unë nesër do jem në Tiranë se goca provimin dhe do flemë atje….se më morën mjes këta Erjon…me këta raportimet… për këtë tërmetin se u ndje shumë këtu…dola tu pi cigare
Ibrahim Lami: E ngjova, e ngjova. Në Lushnje ishte ajo
Fatos Tushe: Ti ça bën
Ibrahim Lami: Hiç, ja piva një kafe me B… dhe tha bëjeni mbledhjen vetë se do flas vetë me Fatosin
Fatos Tushen: Epo mirë të jetë mirë… a vajti në parlament mo
Ibrahim Lami: Po vajti, biles e çova unë
Fatos Tushe: Pse s’ishte ai djali apo i dha dërmën atij prapë
Ibrahim Lami: Jo mo s’i dha dërmën, por më dha ky nja dy fletë rapi për te puna dhe atj lart dhe hajd isha për mbarë
Në bisedën 25/09/2020 njoftohet se shtetasi Ibrahim Lami ndërhyn për një provim që ka vajza e Fatos Tushes
Ibrahim Lami: Alo si u gdhive, ajo sot në 11 ka atë të mjekësisë atë konkursin dhe në 2 të Stomatologjisë
******23: dy… po ai i jot është aty….po mirë ja të marr dikë në telefon dhe të ta çoj numrin unë megjithëse nuk e takon dot sot se është mbyll krejt perimetri, as hyn as nuk del njeri aty
Ibrahim Lami: Po sot është konkursi…po ça bohet, ça zgjidhje ka
*****23: Vetëm ta marr pasdite në telefon unë atë. Se duhet t’ia kishim thënë përpara ne asaj… që dje…t’ia kishim thënë dhe ta takofshim se sot I kanë fikur telefonat dhe as për të dalë përjashta nuk të lënë….po të shkoj ta shofi…nejes të hyjë tashti dhe ta takojnë pasdite nesh mund të bëjë ndonjë gjë…të shohim pasdite ta marr unë në telefon pas konkursit dhe të shohim ça mund të bëjë
Ibrahim Lami: Po mund të na ndihmojë thu…
*****23: Po unë do i them…bëje dhe një kafe dhe do ja japim, ajo do shofi interesin e vet e pra
Ibrahim Lami: Po është përgatit ajo goca re. po a është e vështirë….
*****23: Po nëse është përgatit është në rregull mos e vrit mendjen….vetëm të mos jetë shumë mbrapa atyre vendeve që futen…po po qe afër një shtyrje ja japim
Ibrahim Lami: eeee jo se nuk do jetë shumë mbrapa
Ndërkohë biseda e datës 26/09/2020 njofton se shtetasi Ibrahim Lami ka në administrim firmën Loti Sh.p.k. Kjo firmë rezulton se në bazë të procesverbalit për kqyrjen dhe marrjen e të dhënave nga internet të ketë dalë fituese në prokurime të zhvilluara në Bashkinë Lushnje.