Ditët e fundit në rrjetet sociale të personazheve publike është bërë virale një video me titullin “TEA… po vjen”. Por kjo fushatë misterioze nuk zbulon asgjë përse bëhet fjalë, duke na zgjuar të gjithëve kureshtjen. Ajo që kuptohet është se pas kësaj fushate qëndron Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit, çka na lë të kuptojmë se bëhet fjalë për diçka që ka lidhje me turizmin në Shqipëri, i cili arrin së shpejti edhe kulmin e tij.
Miliona turistë, shqiptarë e të huaj, pritet të kalojnë pushimet në Shqipëri dhe mes gjithë atraksioneve të panumërta, që nga mali te deti, që nga ushqimi i mirë te festat lokale, ata i pret edhe TEA. Po kush është TEA? Asnjë ose shumë pak e dinë këtë, por lajmi i mirë është se pritjes po i vjen fundi. Ditën e shtunë, datë 17 qershor, në orën 7 të pasdites, një event që mbahet te Piramida, Agjencia Kombëtare e Turizmit do të zbulojë surprizën e radhës për turistët. Dhe ne mezi po presim të takojmë TEA-n, e cila thuhet se është shumë, po shumë e bukur dhe do të na i bëjë pushimet në Shqipëri edhe më të këndshme e interesante!