“U ndjeva i humbur” – Harry Styles flet për jetën pas One Direction

Harry Styles ka ndarë sl fundmi detaje të rralla mbi periudhën e vështirë pas shpërbërjes së grupit One Direction në vitin 2015 dhe kalimin e tij në një karrierë solo.
Në një intervistë për The Sunday Times Magazine me mikun dhe stilistin e tij Harry Lambert, artisti 32-vjeçar pranoi se fillimet si solo ishin të mbushura me pasiguri.
“Kur je në një bandë me katër persona të tjerë, ka shumë hapësirë për t’u fshehur. Pesha nuk bie e gjitha mbi ty,” tha ai, duke iu referuar ish-anëtarëve Niall Horan, Zayn Malik, Louis Tomlinson dhe Liam Payne. “Herët e para në skenë vetëm mendoja: ‘Çfarë të bëj?’”
Styles pranoi se ndjeu një ndjenjë vetmie të papritur, pavarësisht suksesit. Në vitin 2017 ai publikoi albumin e tij të parë solo, duke u përpjekur të eksploronte identitetin e tij muzikor, por me frikën se mos zhgënjente fansat.
Pas përfundimit të turneut global Love on Tour në korrik 2023, këngëtari vendosi të tërhiqej për herë të parë pas më shumë se një dekade në qendër të vëmendjes. Ai e përshkroi vendimin si “të çmendur” në fillim, por të domosdoshëm për jetën e tij personale.
Gjatë kësaj periudhe, Styles kaloi kohë në Itali, veçanërisht në Romë, ku – sipas tij – mësoi të ngadalësonte ritmin e jetës dhe të shijonte momentin. “Nuk mbaja mend herën e fundit që isha ulur thjesht për të pirë një kafe,” tha ai, duke theksuar se kjo përvojë ndikoi thellë në mënyrën si e sheh jetën dhe krijimtarinë.
Fituesi i trefishtë i çmimeve Grammy u rikthye këtë muaj edhe në skenën e Grammy Awards 2026, ndërsa ka paralajmëruar albumin e tij të katërt, “All the Time. Disco, Occasionally.”, që do të publikohet më 6 mars.
Paralelisht, ai ka njoftuar një rezidencë globale me 50 koncerte në shtatë qytete të mëdha, përfshirë Amsterdam, Londër, São Paulo, Mexico City, New York, Melbourne dhe Sydney, nga maji deri në dhjetor 2026.









