SHËNDET

Ushqimet e fermentuara dhe kolesteroli i mirë

Një dietë e pasur me ushqime të fermentuara që përmbajnë baktere të gjalla – nga kombucha te kefiri – mund të ulë kolesterolin e “keq” dhe të mbështesë shëndetin e zemrës, sugjeron një studim i ri.

Ushqimet e fermentuara, të pasura me probiotikë, prej kohësh lidhen me përmirësimin e florës së zorrëve, çka me kalimin e kohës ndihmon tretjen, shëndetin e trurit dhe mund të ulë rrezikun e disa sëmundjeve kronike. Tani, studiues australianë thonë se këto ushqime mund të rrisin kolesterolin e “mirë” (HDL), të ndihmojnë në menaxhimin e peshës dhe në kontrollin e sheqerit në gjak.

Ekspertë nga University of Newcastle zbuluan se personat që konsumonin më shpesh ushqime me mikrobe të gjalla kishin rritje të niveleve të HDL-së dhe ulje të sheqerit në gjak, duke reduktuar rrezikun për diabet tip 2.

Kolesteroli është një lloj yndyre që gjendet në të gjitha qelizat e trupit. HDL-ja transporton yndyrat e tepërta drejt mëlçisë për t’u eliminuar. Kur HDL-ja është e ulët, kolesteroli i “keq” (LDL) mund të grumbullohet, duke ngushtuar enët e gjakut dhe rritur rrezikun për infarkt, goditje në tru dhe probleme njohëse.

Probiotikët janë ushqime që përmbajnë mikroorganizma të gjallë, si kimchi, kosi dhe buka e thartë (sourdough), të cilat ndihmojnë në rikthimin e ekuilibrit bakterial të zorrëve. Shumë prej tyre janë edhe të pasura me fibra, të cilat janë treguar se mund të ulin kolesterolin e keq ndjeshëm, pasi fibra e tretshme lidhet me kolesterolin në zorrë dhe pengon përthithjen e tij në gjak.

Studimi i ri sugjeron se rritja e konsumit të kulturave të gjalla mund të rrisë HDL-në pavarësisht niveleve të LDL-së, si dhe të ulë glukozën në gjak.

Për studimin, u krijua një bazë të dhënash me 200 ushqime dhe pije të zakonshme australiane, duke vlerësuar sasinë e mikrobeve të gjalla në secilën. Vetëm kosi dhe kosi i thartë (sour cream) u klasifikuan me përmbajtje të lartë mikrobesh. U përfshinë 58 të rritur të shëndetshëm, të ndjekur për 3–6 muaj.

Rezultatet treguan se ata që konsumonin më shumë ushqime me mikrobe të gjalla kishin peshë trupore dhe BMI më të ulët, perimetër më të vogël beli, kontroll më të mirë të sheqerit në gjak dhe nivele më të larta të HDL-së. Studiuesit mendojnë se fermentimi nxit prodhimin e acideve yndyrore me zinxhir të shkurtër në zorrë, të cilat ndihmojnë rregullimin e metabolizmit dhe shëndetin kardiovaskular.

Duke publikuar gjetjet në revistën Nutrition Research, ekipi theksoi se këta tregues lidhen ngushtë me rrezikun kardiometabolik. Megjithatë, u nënvizua se nevojiten studime të mëtejshme për të vërtetuar shkakun dhe pasojën, pasi nuk u morën parasysh faktorë si aktiviteti fizik apo konsumi i alkoolit.

Studime të tjera mbështesin këto rezultate. Një kërkim i vitit 2024 tregoi se suplementimi me probiotikë te personat me diabet tip 2 rriti ndjeshëm HDL-në. Ndërkohë, një studim i veçantë nga University of Bonn zbuloi se një dietë dyditore kryesisht me tërshërë (porridge) uli kolesterolin e keq me rreth 10 për qind te personat me rrezik të lartë për sëmundje të zemrës, me efekt që zgjati edhe pas gjashtë javësh.

Sëmundjet kardiovaskulare mbeten shkaku kryesor i vdekjeve në botë. Duke qenë se nivelet e larta të kolesterolit të dëmshëm janë shumë të përhapura, përfshirja e ushqimeve të fermentuara në dietë mund të jetë një hap i thjeshtë dhe i dobishëm për shëndetin e zemrës. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button