“Verë përvëluese, rubineta bosh. Banorët e Mbrostar Urës në Fier pa ujë në banesa dhe nën plehra” (foto e video)

Fier – Në këto ditë përvëluese të verës, afro 100 familje të “Lagjes së Poshtme” në Mbrostar Ura po përballen me një krizë të rëndë: mungesën e ujit të pijshëm në rubinetat e banesave të tyre.
Banorët thonë se ky nuk është një problem i momentit – situata zgjat prej shumë vitesh. Ankesa pas ankese, por asnjë zgjidhje nuk ka ardhur, as nga UK Fier, as nga njësia administrative Mbrostar, as nga Bashkia Fier, ndërkohë që faturat paguhen prej tyre.
Përballë indiferencës së pushtetit dhe nevojës jetike për ujë, pjesa më e madhe e familjeve janë detyruar të hapin puse vetëm për të siguruar ujë për larje rrobash dhe punë të tjera shtëpie. Ndërsa për ujë të pijshëm, ata paguajnë autobotet që ua sjellin për të mbushur bidonat.
Por edhe kjo zgjidhje është e kushtueshme – hapja e puseve kërkon investime, pompat shpesh digjen nga temperaturat e larta, dhe riparimet rëndojnë edhe më shumë xhepat e familjeve.
Sikur të mos mjaftonte mungesa e ujit, banorët kanë përballë një tjetër problem të madh: mbetjet urbane. Ato qëndrojnë të hedhura mes lagjes dhe pranë banesave, duke u kthyer në këto ditë të nxehta vere në burim sëmundjesh dhe vatër infeksioni. Erërat e rënda dhe rreziku shëndetësor shtojnë edhe më shumë frustrimin e komunitetit.






Banorët tregojnë se janë ankuar për vite me radhë, por përgjigjet që kanë marrë shpesh janë fyerje për inteligjencën e tyre. Shpesh u thuhet: “Gjeni vetë defektin, hapni kanalin dhe ne do të dërgojmë teknikët për riparim.”
Por për ta, kjo nuk është vetëm një çështje teknike – është një çështje jetike, e cila ka nevojë për zgjidhje urgjente.





Në Mbrostar Ura, vera nuk përvëlon vetëm nga dielli, por edhe nga mungesa e ujit dhe mospërfillja e atyre që duhet të shërbejnë qytetarët.









