Vlora pa drita, raportohet për të shtëna me armë
Të shtëna me armë zjarri janë raportuar këtë mbrëmje përgjatë bulevardit Ismail Qemali në Vlorë, ndërsa qyteti është pa drita.
Nuk ka persona të lënduar në vendngjarje. Policia po punon për zbardhjen e ngjarjes.
Ngjarja dyshohet se ka filluar pasi një shtetas, pas një debati virtual ka nxjerrë armën e zjarrit tip pistoletë dhe ka qëlluar një here, dyshohet në ajër.
Më pas personat në fjalë janë larguar duke përfituar edhe nga errësira, pasi qyteti ka qënë për më shumë se një orë pa drita.
Ngjarja ka ndodhur në bulevardin Ismail Qemali rreth orës 18.30.
Ndërkohë fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.
Njoftimi i policisë/ Vlorë
Në orën 18:36, në sallën operative të DVP Vlorë është marrë një njoftim se në lagjen “Lef Sallata” dyshohet se ka ndodhur një konflikt.
Policia ka shkuar menjëherë në vendin e raportuar, por deri tani nuk janë konstatuar persona të përfshirë në konflikt. Vijon puna për identifikimin e tyre dhe sqarimin e plotë të këtij rasti.
Sqarojmë se, në lidhje me një zhurmë të ngjashme me të shtënë me armë zjarri, po kryhen verifikimet përkatëse nga ana e shërbimeve të Policisë.