Partia Demokratike që drejtohet nga Sali Berisha mblodhi këtë të premte në mbrëmje Këshillin Kombëtar. Ish-kryeministri mbajti fillimisht një fjalë 40-minutëshe ku thelbi ishte se “zgjedhjet lokale të 14 majit ishin të manipuluara dhe rezultati nuk do të njihet”. Por me largimin e mediave, në pjesë me dyer të mbyllura Berisha mësohet të ketë dhënë edhe disa porosi. Mediat raportojnë se Berisha është shprehur i vendosur për të mos bashkëpunuar më me Lulzim Bashën.
“Nuk do të ketë asnjë bashkëpunim me grupin e Lulzim Bashës. Duhet të bëjmë gjithçka për t’u ngritur në protesta. Zgjedhje me Ramën nuk ka”, – mësohet të ketë thënë Berisha. Ai u ka thënë anëtarëve të Këshillit Kombëtar se “para zgjedhjeve të 14 majit, Taulant Balla i ka dërguar Enkelejd Alibeajt një listë me mbi 600 kandidatë për të marrë pjesë në zgjedhje dhe ai që e ka kundërshtuar ka qenë Gazment Bardhi”. Sipas Berishës në Partinë Demokratike janë të gjithë të mirëpritur, përveç Lulzim Bashës dhe Enklejd Alibeajt .
Më tej ai është shprehur kundër ideve për ndryshimin e emrit të partisë meqë Basha po mban logon e PD-së zyrtare. Sipas Berishës kjo do t‘u hiqte identitetin dhe do t’i përgjysmonte.
“Ka diskutime për të ndryshuar emrin e partisë. Nëse PD-ja do ndryshojë emrin do të thotë se heq dorë nga identiteti. Ne nuk duhet të ndryshojmë emrin si një diktim që vjen nga kundërshtari. Nëse kjo ndodh, shanset janë të përgjysmohemi” – mësohet të ketë thënë Berisha. Më tej ai ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me parti të tjera.
“Duhet të shohim mundësinë e koalicioneve. Në 70% të rasteve, PD ashtu ka hyrë në zgjedhje”, – mësohet se ka thënë Berisha në mbledhjen me dyer të mbyllura.