AKTUALITET

15-vjeçari nga Vlora braktis Fortnite dhe rrëzon faqet shtetërore

Policia e Vlorës ka finalizuar me sukses operacionin “The Accountant”, duke zbuluar një rast të ndërhyrjes së paautorizuar në sistemet kompjuterike të disa institucioneve shtetërore. Autori nuk është ndonjë ekspert i Iranit, as ushtar i mafias dixhitale ruse dhe as ndonjë pirat kibernetik kinez.

Është një adoleshent nga Vlora. Një talent, vetëm 15 vjeç, që sipas hetimeve paraprake ka arritur të futet në email-et dhe faqet zyrtare të institucioneve publike gjatë muajit mars 2025, duke i nxjerrë ato jashtë funksionit për periudha të caktuara.

Policia saktëson se nuk ka pasur vjedhje të të dhënave apo të dokumenteve konfidenciale. Sepse shumica e faqeve shtetërore nuk përmbajnë më asgjë që nuk është publikuar më parë nga hakerat iranianë.

Gjithsesi, gjatë kontrollit janë sekuestruar  5 laptopë, 6 telefona celularë dhe 1 dron.

Pajisjet që policia i rreshton mes provave të krimit, ngjajnë më shumë me arsenalin e një youtuberi në kërkim të famës, sesa një “kërcënimi kombëtar”.

Por standartet e sigurisë të shtetit tonë tashmë dihen: mjafton që nxënësit të një gjimnazi t’i mërzitet ora e fiskulturës dhe aq e patën edhe sistemet tona të sigurisë kibernetike.

Hetimet vijojnë për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të përfshirë. Gjithsesi, pyetja që shtrohet pas këtij zbulimi është: Në duart e kujt ka mbetur siguria dixhitale e shtetit tonë, nëse të dhënat e SHISH vidhen nga iranianët, të dhënat e policisë vidhen nga drejtorët e ministrisë së brendshme, dhe kur mjafton një 15-vjeçar me Wi-fi për ta çuar sistemin në 404?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button