Tuesday, December 3, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeKRYESOREPse duhet ta durojmë fyerjen e Tanja Fajon?!

Pse duhet ta durojmë fyerjen e Tanja Fajon?!

Nga Ben Blushi

Kur dëgjoj politikanen sllovene Tanja Fajon që vjen në Tiranë dhe thotë se Shqipëria mund të jetë në BE aty nga viti 2030, mendoj se edhe kjo datë është e pamundur pikërisht sepse Evropa është e mbushur me politikane pa asnjë peshë si Tanja Fajon, që flasin pa e ditur ç’thonë. Jo vetëm për ta kapur gafil, se kjo është një gjë shumë e lehtë në këtë rast, nëse do kisha mundësi do ta pyesja pse mendon se Shqipëria mund të jetë pjesë e BE në vitin 2030 dhe jo në vitin 2028? Apo pse jo në vitin 2035?
Çfarë pret Tanja Fajon të bëjmë ne, deri në vitin 2030 që nuk e bëjmë dot në vitin 2028 apo në 2027?

Tanja Fajon natyrisht nuk ka asnjë përgjigje dhe nuk ka si të ketë. Njëlloj si ajo, në BE ka sot me qindra politikanë pa peshë të cilët bëjnë karrierë duke marrë pjesë nëpër seminare ku nuk merret asnjë vendim dhe ku askush nuk mban përgjegjësi për ato që thotë. Dikush që i njeh mirë këta lloj politikanësh më thoshte një ditë se për ta, no action is action. Tanja Fajon është tipike e një brezi politikanësh për të cilët mungesa e veprimit është veprim.

Megjithatë nuk është ajo problemi dhe nuk dua të merrem me të. Askush nuk e zgjedh dot kohën kur jeton. Problemi pra nuk është Tanja, por Evropa që ka mbetur në dorën e Tanjave. Evropa që njohim pas viteve 1990 është e ndarë në tre kohë. Në kohën e parë, pas rënies së Murit të Berlinit, Evropa merrte vendime të drejta, madje shumë të drejta, njëri prej të cilëve ishte antarësimi i Sllovenisë, vendit të Tanja Fajon, në Bashkimin Evripian në 1 maj 2004, pra 20 vjet më parë.

Në kohën e dytë, që ishte e dominuar nga Angela Merkel, Evropa merrte vendime, pavarësisht se shumë prej tyre ishin të gabuara siç ishte fryrja e krizës greke, për të forcuar Gjermaninë dhe për të dobësuar gjithë të tjerët, çka e nxori jashtë Britaninë e Madhe, e cila me të drejtë nuk e duroi dot dominimin gjerman të Evropës. Kurse në kohën e tretë, në kohën që jetojmë, problemi është edhe më i madh. Evropa nuk merr më asnjë vendim. Nëse politikanët që drejtojnë sot do ishin në fuqi në vitin 2004, me siguri edhe vetë Tanja Fajon nuk do kishte votuar që Sllovenia, vendi i saj të bëhej antare e Bashkimit Evropan.

Kjo nuk do të thotë se Tanja dhe tanjat nuk e duan Slloveninë apo Shqipërinë. Kjo do të thotë se shtyrja, pra mosmarrja e asnjë vendimi është tipari më i spikatur i evropianëve sot. Evropianët nuk marrin sot asnjë vendim, as për Ukrainën, as për emigracionin, as për Izraelin, as për Hamasin, as për zgjerimin, e si mund t’i kërkojmë ne të marrin një vendim për Shqipërinë. Sapo mbaron një çështje hapet një tjetër dhe kur çështja e dytë fillon të zgjidhet, vijnë zgjedhjet dhe nëse nuk ke zgjidhur siç duhet çështjen e parë, atëherë e dyta ti humb zgjedhjet, kështu që tipari më i madh i mbijetesës politike ne Evropë, është hapja e të gjitha çështjeve dhe mosmbyllja e asnjërës.
Prandaj emigrantët dynden por nuk integrohen në Evropë, prandaj nuk ka fund lufta në Ukrainë, prandaj ekonomia është gjithnjë në rënie, prandaj Kosova dhe Serbia nuk gjejnë dot paqe, prandaj nuk ka zgjerim dhe ndoshta nuk do ketë për shumë kohë.

Nëse dikur Evropa kishte strategji, disa nga të cilat dështuan dhe prandaj u kthyen në taktika, tani nuk ka asnjërën por ka vetëm teknika. Këto mund të quhen teknika elektorale që do të thotë se duke mos bërë asgjë fiton më kollaj. Më saktë, aftësia për të sajuar kriza, votohet më shumë se aftësia për t’i zgjidhur ato. Kështuqë çdo krizë ndiqet nga një tjetër pastaj dhe nga një tjetër dhe të jetosh në krizë është kthyer në normalitet. Sepse jetoi në kohën kur strategjitë e mëdha u harruan dhe fuqinë e morën taktikat e vogla, Angela Merkel humbi trashëgiminë e saj politike, Boris Johnson humbi partinë, kurse Macron po i mbyll të dyja mandatet pa çuar asnjë punë deri në fund.
Emanuel Macron është mbreti i kësaj teknike pa thelb që ndryshe kuptohet si: bëj sikur bën shumë dhe mos bëj asgjë. Pirueta e vazhdueshme e Macronit mes të majtës dhe të djathtës në Evropë tani quhet liberalizëm konstruktiv.

Kjo është moda e fundit në Evropë që i ngjan një ecje mbi taka, përpara rrëzimit. Për fat të keq ne jetojmë në këtë kohë dhe prandaj Tanja Fajon ikën krenare nga Tirana duke besuar se jo vetëm ka bërë një punë, por edhe sepse beson se ne e besojmë se na ka dhënë pak besim. Tani që kujtoj se Sllovenia u bë antare e BE, 20 vjet më parë në vitin 2004, besoj se vlejnë disa krahasime. Kushdo që e njeh sadopak këtë vend të mrekullueshëm malor nga i cili dalin herë pas here bastkebollistë të mëdhenj të NBA, zonja të para amerikane apo filozofë marksistë si Sllavoj Zizek nuk më bind dot se diferenca e Sllovenisë me Shqipërinë është gati 30 vjeçare.

Sllovenia pa dyshim është një vend i qeverisur më mirë se Shqipëria në 100 vitet e fundit dhe pa dyshim edhe në 30 vitet e fundit, por fati i saj i madh ishte që nuk u përfshi në konfliktet e brendshme të Jugosllavisë. Ndryshe nga ç’ndodhi në Kroaci, lufta mes Serbisë dhe Sllovenisë zgjati vetëm 10 ditë në vitin 1991 dhe pothuajse nuk mund të quhet një luftë, sepse nuk u vranë më shumë se 20 ushtarë. Pra nëse kthehemi në vitin 2004, vendimi shumë i drejtë i BE për antarësimin e Sllovenisë nuk ishte i shtyrë vetëm nga cilësia e ekonomisë dhe demokracisë, e shtetit të së drejtës, por nga dalja në paqe nga ferri i Jugosllavisë. Kroacia, vendi binjak me Slloveninë, u dogj në këtë ferr dhe mezi doli që andej, për t’u antarësuar në BE gati dhjetë vjet më vonë në 2013. Ne Evropë ndoshta nuk ka asnjë vend që i ngjan Shqipërisë më shumë se Sllovenia.

Ata kanë 2.1 milion banorë ne kemi 2.4 milion. Ata janë një vend me dalje të vogël në Adriaktik ne kemi daljen më të madhe pas Italisë. Ata kanë shumë pyje dhe male siç kemi dhe ne. Ata kanë po aq borë sa ne, por ne kemi shumë më pak skiatorë. Ata nuk kanë kufi me Serbinë, as ne nuk kemi. Ata janë në NATO, edhe ne jemi. Ata kishin vjet 6 milion turistë ne besojmë se kishim 7 milion. Sigurisht ata kanë një prodhim të brendshëm bruto gati 4 herë më të madh se ne por duke patur parasysh se janë antarë të BE prej 20 vitesh, kjo diferencë nuk është aq e madhe sa duket. Atëherë çfarë duhet të bëjmë ne më shumë që të jemi pjesë e BE si Sllovenia? Çfarë nuk kemi bërë që nga viti 2004 kur Sllovenia u bë antare e BE dhe prandaj Tanja Fajon mendon se ka të drejtë të caktojë ditën kur do hyjmë dhe ne? Unë mendoj se nuk ka një vend që ka bërë më shumë në 30 vjet se ç’i është kërkuar nga Evropa. Shqipëria është vendi më i bindur në këtë kontinent e ndoshta edhe në planet. Shqipëria për fat të keq ka një nënshtrim kolonial që nganjëherë shkon deri në poshtërim.

Na kanë kërkuar të mos pretendojmë asnjë metër katror të humbur në Ballkan, e kemi bërë. Na kanë kërkuar ta dekurajojmë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, e bëjmë çdo ditë pa vetëpërmbajtje. Na kanë pushtuar pa na kthyer asnjë reparacion, e kemi pranuar. Na kanë kërkuar të armiqësohemi me Rusinë, e kemi bërë. Na kanë kërkuar t’i refuzojmë investimet kineze, e kemi bërë me kokëfortsi, megjithëse ata vetë nuk e kanë bërë dhe s’kanë pse e bëjnë. Na kanë kërkuar të çojmë ushtarë në Afganistan, aty ku ne nuk kemi asnjë arsye të jemi, e kemi bërë. Na kanë kërkuar të mbyllim tregun për lindjen, e kemi bërë. Na kanë kërkuar të ulim çmimet e produkteve tona bujqësore, e kemi bërë. Na i kanë marrë shumicën e burimeve natyrore ose na i kanë shkatërruar, duke i nxjerrë jashtë funksioni, e kemi pranuar.

Na kanë kufizuar kuotat e peshkimit në Adriatik, e kemi pranuar. Na kanë kërkuar të ndërtojmë një gjykatë speciale të cilën e drejtojnë ata vetë, e kemi bërë. Na kanë kërkuar t’i emërojnë ata gjyqtarët dhe prokurorët, e kemi pranuar. Na i monitorojnë zgjedhjet dhe na thonë se si duhet t’i bëjmë, e kemi pranuar. Na kanë kërkuar fuqi puntore, ua japim cdo ditë. Na kanë kërkuar minatorë, bujq, infermierë, kamarierë, studentë që paguajnë sa frëngu pulën shkollat e tyre të dobëta, e kemi bërë dhe e bëjmë. Na kanë kërkuar të ndryshojmë ligjet dhe të mos miratojmë ligje që mund të favorizojnë tregun tonë, e kemi bërë.

Atëherë çfarë duhet të bëjmë akoma që të na trajtojnë si sllovenët? Pse edhe kur jemi kaq të bindur prapë na kërkohet të jemi edhe më të bindur? Çfarë duhet të bëjmë akoma të na trajtojnë si sllovemët, si bullgarët dhe si rumunët? Nuk e di. Por çështja është se as vetë Tanja nuk e di. Tani ajo ka ikur dhe unë nuk mund ta pyes dhe në fakt as dua ta pyes sepse mendjelehtëtsia e saj më fyen dhe më detyron të shkruaj gjëra që 30 vjet më parë as i mendoja.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME