Europa ngre ALARMIN për sëmundjet ngjitëse te shpendët dhe kafshët.

Alarmi në Europë për sëmundjet ngjitëse: AKVMB dhe UPMVSH në trajnim kombëtar të mjekëve veterinarë. AKVMB dhe UPMVSH organizuan trajnim të vazhduar CPD për mjekët veterinarë
Urdhri Profesional i Mjekut Veterinar të Shqipërisë (UPMVSH), në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB) – Tiranë, Vlorë, Elbasan dhe Shkodër – në kuadër të programit të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, organizuan një trajnim të vazhduar profesional (CPD) për mjekët veterinarë të AKVMB-së.
Trajnimi u fokusua në një program të detajuar mbi aktualitetin e sëmundjeve infektive dhe ngjitëse që qarkullojnë në vend, si dhe mbi legjislacionin veterinar shqiptar, me qëllim rritjen, përditësimin dhe rikujtimin e njohurive profesionale të mjekëve veterinarë mbi detyrimet ligjore, planet e kontigjencës, përgjegjësitë profesionale dhe menaxhimin e sëmundjeve me rrezik për shëndetin e kafshëve dhe shëndetin publik, përfshirë zoonozat.
Ky trajnim është pjesë e programit të trajnimeve të vazhduara të planifikuara nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, që synon forcimin e kapaciteteve profesionale të shërbimit veterinar shtetëror, rritjen e gatishmërisë për përballimin e sëmundjeve me karakter përhapës dhe garantimin e sigurisë ushqimore dhe shëndetit publik.
Roli i mjekut veterinar mbetet thelbësor në zinxhirin e shëndetit të kafshëve, mirëqenies së tyre dhe mbrojtjes së konsumatorit, ndaj trajnimi i vazhduar profesional përbën një element kyç për funksionimin efektiv të sistemit veterinar në vend.
Gjatë gjithë vitit 2025, në kuadër të këtij programi trajnimesh të vazhduara, janë trajnuar mjekët veterinarë të AKVMB-së në nivel kombëtar. Mbi 500 mjekë veterinarë morën pjesë në këto trajnime, të cilat u fokusuan në aktualitetin e funksioneve të tyre, forcimin e rolit institucional dhe përditësimin e njohurive profesionale në përputhje me kërkesat bashkëkohore të shërbimit veterinar.







Ky aktivitet u mbështet dhe u realizua me kontributin profesional të profesorëve dhe pedagogëve të Fakultetit të Mjekësisë Veterinare, Universiteti Bujqësor i Tiranës, të cilët ofruan ekspertizë shkencore dhe praktike në temat e trajtuara.









