AKTUALITETTOP-NEWS

I zhdukur prej 5 ditësh, familja kërkon ndihmë për gjetjen e 27 vjeçarit në Itali

Prej 5 ditësh, familja e një të riu shqiptar në Itali po jeton orë ankthi, pasi 27-vjeçari Erdin Selimi rezulton i zhdukur pa lënë asnjë gjurmë.

I riu, banues në Montichiari (Brescia), është larguar nga banesa që prej mëngjesit të 23 prillit, duke u nisur me automjetin e tij tip “Opel Insignia”. Sipas raportimeve në mediat italiane, ai nuk ka mbërritur kurrë në vendin e punës, çka ka ngritur menjëherë alarmin tek familjarët dhe të afërmit.

Deri më tani nuk ka asnjë zhvillim konkret për fatin e tij. Telefoni celular rezulton i fikur prej pesë ditësh, ndërsa sinjali i fundit është kapur në zonën e Desenzanos. Pas kësaj, çdo gjurmë e 27-vjeçarit është ndërprerë.

Familjarët kanë bërë kallëzim në polici dhe paralelisht kanë shpërndarë apel edhe në rrjetet sociale, duke kërkuar ndihmën e kujtdo që mund të ketë informacion.

Edhe në njoftimin e tyre në shqip, ata u bëjnë thirrje të gjithë shqiptarëve, veçanërisht atyre në Itali, që të ndihmojnë në gjetjen e Erdin Selimit, duke theksuar se çdo informacion, sado i vogël, mund të jetë i vlefshëm.

Burime nga hetimet bëjnë me dije se një nga pistat që po verifikohet është edhe ajo e një largimi të mundshëm me dëshirë, por deri tani asnjë nga sinjalizimet e marra nuk ka rezultuar i saktë.

Kërkimet vijojnë intensivisht nga autoritetet italiane, ndërsa familja pret me ankth çdo lajm që mund të çojë në gjetjen e 27-vjeçarit dhe kthimin e tij në shtëpi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button