AKTUALITETTOP-NEWS

Tre bashki, një rrugë, zero zgjidhje. Banorët pa asfalt, pa ujë dhe mes plehrave. Bashkitë të lën debatet,  të zgjidhin problemet.

Tre bashki “hedhin topin” njëra-tjetrës, banorët mbeten në baltë: Rruga 1 km pa asfalt, plehrat nuk hiqen dhe uji vjen vetëm një orë në ditë

Banorët e Ofiçinës së Vjetër, Kasnicës dhe lagjes Belistan në Bilishovë denoncojnë mungesën e investimeve. Ata kërkojnë zgjidhje për rrugën, pastrimin e mbetjeve urbane dhe furnizimin me ujë të pijshëm.

Një segment rrugor me gjatësi rreth një kilometër, që lidh fshatin Ofiqinë e Vjetër, Kasnicën dhe lagjen Belistan të Bilishovës, është kthyer prej vitesh në një problem serioz për banorët e zonës. Sipas tyre, tre bashki ia kalojnë përgjegjësinë njëra-tjetrës, ndërsa rruga vazhdon të mbetet e pashtruar dhe e vështirë për t’u përshkuar.

Banorët shprehen se Bashkia Patos ka asfaltuar segmentin nga Kasnica deri në pikën kufitare që ndan tre njësitë, ndërsa pjesa tjetër e rrugës ka mbetur jashtë çdo investimi. Sipas tyre, Bashkia Fier pretendon se segmenti nuk është në juridiksionin e saj, ndërsa përgjegjësinë ia kalon Bashkisë Mallakastër.

Për pasojë, prej vitesh askush nuk ndërhyn për asfaltimin e këtij kilometri rrugë, duke lënë banorët të përballen çdo ditë me pluhurin gjatë verës dhe baltën në ditët me reshje.

Por problemet nuk mbarojnë me kaq. Banorët ankohen edhe për mungesën e pastrimit të mbetjeve urbane. Ata thonë se koshat mbushen dhe mbeturinat qëndrojnë për ditë të tëra pa u larguar, duke krijuar ndotje dhe erë të rëndë, veçanërisht gjatë sezonit të verës.

Sipas tyre, ndërmarrja përgjegjëse për pastrimin nuk kryen shërbimin rregullisht, madje ka raste kur mbeturinat nuk hiqen as dy herë në muaj. Si pasojë, mbeturinat dalin jashtë konteinerëve dhe situata bëhet shqetësuese për shëndetin dhe mjedisin.

Një tjetër problem i madh mbetet furnizimi me ujë të pijshëm. Banorët thonë se edhe pse rrjeti i ujësjellësit është shtruar prej vitesh, në shumë banesa uji ende nuk ka mbërritur. Në zonën që administrativisht i përket Bashkisë Fier, furnizimi kryhet vetëm rreth një orë në 24 orë, çka e bën të pamundur plotësimin e nevojave të përditshme të familjeve.

Të lodhur nga premtimet dhe mungesa e investimeve, banorët u bëjnë thirrje institucioneve vendore që të lënë mënjanë debatet mbi juridiksionin dhe të bashkëpunojnë për zgjidhjen e problemeve që prekin drejtpërdrejt jetën e komunitetit.

Sipas tyre, një rrugë prej vetëm një kilometri, pastrimi i rregullt i mbetjeve urbane dhe furnizimi normal me ujë të pijshëm janë shërbime bazë që nuk duhet t’u mungojnë qytetarëve në vitin 2026. /ALB365

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button