AKTUALITETTOP-NEWS

Digjet banesa në Fier/ Pronaria e dëmtuar niset drejt Tiranës, familja pa strehë.

Një banesë është shkrumbuar thuajse plotësisht nga flakët mesditën e kësaj të premteje në lagjen “Sheq i Madh” në Fier. Nga zjarri ka mbetur e dëmtuar rëndë një familje prej katër anëtarësh, ndërsa pronarja e banesës ka pësuar djegie të rënda.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:00, kur banorët kanë konstatuar flakët dhe kanë njoftuar menjëherë shërbimin zjarrfikës.

Forcat zjarrfikëse kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë ndërhyrë për shuarjen e zjarrit. Falë ndërhyrjes së tyre është bërë e mundur që flakët të mos përhapen edhe në banesat e tjera, të cilat ndodheshin shumë pranë shtëpisë së përfshirë nga zjarri.

Gjatë përpjekjeve për të shpëtuar banesën dhe për të shuar flakët, pronarja ka pësuar djegie të rënda. Ajo është transportuar fillimisht në Spitalin Rajonal të Fierit për të marrë ndihmën mjekësore, ndërsa për shkak të gjendjes së saj shëndetësore pritet të dërgohet drejt Tiranës për mjekim të specializuar.

Ndërkohë, familja prej katër anëtarësh ka mbetur pa strehë, pasi banesa është dëmtuar rëndë nga zjarri.

Familjarët, të cilët ndodhen në kushte të vështira ekonomike, bëjnë apel për ndihmë ndaj institucioneve dhe qytetarëve, në mënyrë që të përballojnë situatën e rëndë dhe të sigurojnë një strehë.

Ende nuk dihen shkaqet e zjarrit. Ndërkohë, grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat dhe për të përcaktuar se çfarë ka shkaktuar rënien e flakëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button