Situatë nga zjarret në Himarë/ Digjet një shtëpi, në rrezik disa të tjera

Një situatë e rëndë është ajo nga zjarret në Himarë. Flakët po përparojnë me shpejtësi duke djegur një banesë ndërsa në rrezik janë edhe banesa të tjera në zonë.
Situata paraqitet e vështirë për zjarrfikësit, të cilët vijojnë të jenë në terren, duke punuar për shuarjen dhe izolimin e flakëve, me qëllim parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit.
Era dhe terreni i vështirë po favorizojnë përhapjen e flakëve, duke e bërë ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse edhe më të vështirë.
Një zjarr me përmasa të mëdha ka përfshirë mbrëmjen e kësaj të premteje qytetin e Himarës.

Flakët janë përhapur me shpejtësi në kodrat pranë lagjes “1 Maji” ku është djegur edhe një banesë.
Flakët po kërcënojnë edhe banesa të tjera si dhe sipërfaqe me pemëtari që ndodhen në këtë zonë.
Në terren ndodhen banorë të Himarës, të cilët po ndihmojnë forcat zjarrfikëse në përpjekje për të vënë nën kontroll flakët.
Për shkak të terrenit të vështirë dhe erës së fortë, e cila favorizon përhapjen e zjarrit, zjarrfikësit kanë kërkuar edhe ndihmën e forcave zjarrfikëse nga bashkitë fqinje.








