Emrat/ U kapën me 36 kg marijuanë në Greqi, identifikohen tre shqiptarët! Dyshimet për rrugën nga Kakavija

Tre shtetas shqiptarë janë identifikuar nga autoritetet greke, pasi u kapën në Janinë duke transportuar 36 kilogramë marijuanë.
Operacioni u zhvillua nga Policia e Janinës në bashkëpunim me policinë kufitare të Filatit. Gjatë ndërhyrjes, në dy automjete, njëri prej të cilëve dyshohet se shërbente si shoqërues i mjetit që transportonte lëndën narkotike, u identifikuan dhe u arrestuan tre shtetasit shqiptarë.
Sipas informacioneve paraprake, bëhet fjalë për Algert Beluçajn, 37 vjeç, si dhe Kevin Rushanin dhe Briken Çolajn.
Dyshimet për kalimin e drogës nga Kakavija
Nga hetimet paraprake të autoriteteve greke, në bashkëpunim me ato shqiptare, dyshohet se lënda narkotike ka kaluar përmes kufirit të gjelbër në zonën e Kakavijës.
Më pas, droga dyshohet se është ngarkuar në njërin prej automjeteve, me qëllim transportimin e saj drejt brendësisë së territorit grek.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht itinerarin e lëndës narkotike dhe për të përcaktuar nëse persona të tjerë janë të përfshirë në këtë aktivitet të dyshuar kriminal.
Dyshohet se ishin nisur nga Saranda, kapen në Greqi 36 kg marijuanë

36 kg marijuanë janë kapur nga policia greke në Janinë pas ndjekjes së një automjeti prej Filatit, në kufirin e gjelbër midis Sarandës dhe Igumenicës. Në pranga kanë rënë 3 shtetas shqiptarë.
Në veçanti, në kuadër të veprimeve për të luftuar importimin e lëndëve narkotike në Greqi dhe pas përdorimit të duhur të informacionit, oficerët e policisë së Departamentit të Narkotikëve të Nëndrejtorsw të Ndjekjes dhe Hetimit të Krimit të Janinës, në bashkëpunim me Departamentin e 2-të të Rojës Kufitare të Filatit, Thesproti, lokalizuan një automjet me të cilin udhëtonin dy shqiptarw, i cili ndodhej përpara një automjeti tjetër me të cilin udhëtonte një tjetwr shqiptar.
Mjetet e mësipërme u ndaluan dhe gjatë kontrollit të kryer në të dytin prej tyre, u gjetën dhe u sekuestruan 34 pako me marijuanw, me një peshë totale prej 36 kg e 250 gramë.
Siç doli, dy shqiptarwt në automjetin e parë po vepronin si eskortë për automjetin e ngarkuar me drogë.
Si pjesë e hetimeve, u sekuestruan dy automjete, një shumë parash prej 2,935 euro, 40,480 lekë tw reja dhe tre telefona celularë.
Qentë e policisë “IKARUS” dhe “JERRY” ndihmuan në hetime. Të arrestuarit, me çështjen penale për trafik droge të ngritur ndaj tyre nga Departamenti Kundër Drogës në Prokurorinë Publike të Janinës, do të çohen në Prokurorinë e Shkallës së Parë të Janinës.

Kohët e fundit ka njç riaktivizim të trafikut ndërkombëtar të drogës nga Shqipëria në Greqi. Policia greke ka kapur në 14 muajt e fundit mbi 1.2 ton marijuanë në Igumenicë, Janinë, Kostur, Follorinë e Selaniku. Rastet më të shumta kanë qenë ato të trafikut nga Saranda në Igumenicë, ku pothuaj gjysma e sasisë së kapur në zonat e Greqisë është trafikuar nga kjo linjë. Madje në një rast në Igumenicë është kapur edhe një skaf i ngarkuar me drogë.










