AKTUALITETTOP-NEWS

”Pak studentë të arrestuar”, Hita: Policia nuk tërhiqet përballë dhunës.

Në 3 ditët e trazirave në vend, drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita doli në një konferencë për mediat, ku tha se mes të arrestuarve ka shumë pak studentë. Ai u bëri thirrje prindërve, mësuesve dhe pedagogëve që të mos lejojnë që fëmijët të përdoren për akte dhune.

Sipas tij, të rinjtë me maska që po sulmojnë dhe dhunojnë policinë dhe pronën publike dhe private nuk janë studentë, por janë rekrutuar nga ata që kanë organizuar protestën, të cilët i cilësoi si eksponentë të brendshëm dhe të jashtëm. Ai theksoi se institucioni i policisë nuk është pronë private e asnjë partie politike, teksa u bëri apel prindërve dhe mësueve që të mos lejojnë të miturit në aktet e dhunës. Hita ka informuar se deri tani janë plagosur 71 efektivë policie.

”Policia nuk është pjesë e asnjë partie politike. Misioni ynë është të mbrojmë pronën dhe jetën. U bëjmë thirrje prindërve që të mos lejojnë që gjimnazistët të bëhen pjesë e dhunës. Nga të gjithë të ndaluarit natën e parë në protestat e dhunshme, asnjëri nuk rezultoi studentë. Edhe në natën e dytë, vetëm një pjesë e vogël rezultuan studentë. Çdo sulm ndaj policisë është dhunë ndaj shtetit. Agresorët do identifikohen. Policët duhet të tregojnë profesionalizë dhe vetpërmbajtje. Mos u provokoni. Autoriteti buron prej ligjit”, tha mes të tjerash Hita.

Zoti Hita keni arrestuar shumë persona, por të paktën nga protestat e mëparshme, ju i arrestoni dhe ata lirohen, sepse nuk ka prova të mjaftueshme. Këtë radhë a keni prova të mjaftueshme dhe a keni bashkëpunuar ngushtë me Prokurorinë e Tiranës?

Kryepolici Skënder Hita: Që në momentet e para është bashkëpunuar ngushtë me Prokurorinë e Tiranës. Janë përfituar të gjitha pamjet filmike të personave që kanë kryer këto akte dhune. Janë identifikuar dhe kapur në flagrancë edhe personat e tjerë që kanë dëmtuar bizneset. Është bërë një dokumentim real i gjithë veprës penale, pavarësisht vendimit që ka gjykata kryesisht për protestat që zhvillohen në Shqipëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button